Mungesa e objekteve higjienike rrezikon të mbijetuarit në Turqinë e goditur nga tërmeti
2023-02-14 10:08:05

Foto nga VCG

Gjashtë ditë pas tërmeteve të dyfishta vdekjeprurëse që vranë rreth 30.000 persona në Turqi, mungesa e objekteve higjienike ka filluar të rrezikojë të mbijetuarit, njofton “Xinhua”.

Me mijëra ndërtesa të shkatërruara në 10 provincat e goditura nga tërmeti në Turqinë jugore dhe shumë të tjera të pasigurta për të hyrë, mungesa e objekteve higjienike është një nga çështjet kryesore.

“Çështja e higjienës po bëhet gjithnjë e më urgjente”, deklaroi Ihsan Cakir, zëvendëssekretari i përgjithshëm i komunës Hatay, e cila ishte një nga zonat më të goditura nga tërmetet.

“Kemi nevojë për tualete portative”,- tha Cakir, duke vënë në dukje se vullnetarët dhe personeli ndihmës tani janë të detyruar të shkojnë në qytetet fqinje për të plotësuar nevojat e tyre.

Mediat lokale raportuan të dielën se 58 tualete portative dhe dushe ishin dërguar në zonat e prekura, ndërsa prodhuesit në të gjithë vendin po përgatiten për të prodhuar më shumë.

Përveç tualeteve, qasja në ujë të pastër ishte po aq urgjente.

“Burimet nënujore mund të kenë qenë të ndotura, me sistemin e ujërave të zeza në gërmadha”,- paralajmëroi Celalettin Kocaturk, një mjek në Stamboll, duke shtuar se tani uji i rubinetit nuk është i sigurt për t'u pirë.

“Ka një rrezik të shtuar të një epidemie”,- tha ai. (Fatosi)