Kufiri Turqi-Armeni rihapet pas 30 vitesh për ndihmë ndaj tërmetit
2023-02-13 10:31:42

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një zonë kufitare midis Turqisë dhe Armenisë është hapur për herë të parë në 30 vjet, për kalimin e ndihmës humanitare për viktimat e tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë jugore, raportoi agjencia turke e lajmeve “Anadolu”, citon “Xinhua”.

Një delegacion armen me pesë kamionë ndihma ka hyrë në Turqi përmes pikës kufitare Alican në provincën lindore të Igdirit.

Karvani armen i ndihmës me 100 tonë ushqim, ilaçe dhe ujë të pijshëm kaloi përmes portës në mëngjes drejt provincës juglindore të Adiyaman, sipas një postimi në “Twitter” nga Serdar Kilic, përfaqësuesi special i Turqisë për Bisedimet e Normalizimit me Armeninë.

Të martën, kryeministri armen Nikol Pashinyan shprehu ngushëllime dhe mbështetje për popullin turk në një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Armenia ka dërguar 27 ekipe shpëtimi në Turqinë e goditur nga tërmeti për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të vendit.

Pika kufitare Alican u përdor për herë të fundit në tërmetin e vitit 1988 në Armeni, kur Gjysmëhëna e Kuqe Turke kaloi portën kufitare për të dërguar ndihma në zonat e katastrofave.

Turqia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe mbylli kufirin me Armeninë në vitin 1993 në mbështetje të Azerbajxhanit, i cili po luftonte me Armeninë për rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut, përpara se të dy fqinjët të fillonin bisedimet për rinormalizimin e marrëdhënieve në vitin 2022.

Të hënën, dy tërmete shkatërruese me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë goditën 10 provinca në Turqinë jugore, duke u marrë jetën të paktën 29.000 personave dhe duke plagosur mbi 80.000.  (Fatosi)