Kryeekzekutivi: Vendet e Lindjes së Mesme duan të mësojnë më shumë rreth Hong-Kongut
2023-02-13 14:25:18

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Vendet e Lindjes së Mesme janë të entuziazmuara për mposhtjen nga Hong-Kongu të COVID-19 dhe duan të mësojnë më shumë rreth qytetit, tha kryeekzekutivi i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të Kinës John Lee gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit këtë vit, në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Lee u shpreh se ai dëshiron të eksplorojë më shumë mundësi bashkëpunimi me partnerët e vet nga Lindja e Mesme, duke u treguar atyre rreth epërsive të Hong-Kongut në sektorë të ndryshëm.

Hong-Kongu çmohet si ekonomia më e lirë dhe mjedisi i tij i biznesit ka fituar vlerësim të lartë, u tha ai partnerëve të Lindjes së Mesme. "Bërja e biznesit në qytet është e lirë, elastike dhe e lehtë."

Lee theksoi që edhe më e rëndësishme është se Hong-Kongu shërben si një portë për në pjesën kontinentale, ekonomia e së cilës do të vazhdojë të lulëzojë në të ardhmen. Ai theksoi gjithashtu potencialin e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, e cila ka mbi 86 milionë konsumatorë dhe një PBB sa vëllimi i atyre të disa vendeve evropiane të marra së bashku.

Lindja e Mesme ka qenë shumë e suksesshme në vitet e fundit, që është një provë se ky rajon ka nxitur rritjen e ekonomisë së vet, tha Lee, duke shtuar që hapja dhe lidhja e ngushtë me ekonominë globale e bëjnë Hong-Kongun t'i ndihmojë vendet e Lindjes së Mesme në diversifikimin e kapitalit në sektorin financiar.

Gjatë vizitës së kryeekzekutivit u nënshkruan 13 memorandume bashkëpunimi dhe letra synimi ndërmjet kompanive e institucioneve nga Hong-Kongu, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që mbulojnë sektorë si financa, inovacioni e teknologjia, tregtia, ndërtimi, transporti dhe energjia.