Tërmetet në Turqi dhe Siri, OBSH: Nëse nuk reagojmë shpejt, do të përballemi me një fatkeqësi tjetër
2023-02-12 10:35:52

Foto: VCG

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se të mbijetuarit e tërmeteve të së hënës në Turqi dhe Siri, mund të përballen me një fatkeqësi tjetër.

“Është një katastrofë e dytë që po afrohet nëse nuk veprojmë shumë shpejt, që do të thotë strehim, ushqim, ujë dhe ilaçe, sepse ata njerëz po përballen me temperatura shumë të ulëta”,- tha Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, përcjell “RTSH”.

Ai deklaroi se shumica e komuniteteve në Sirinë e shkatërruar nga lufta varen nga rezervuarët e ujit, të cilat ishin të parat që u shkatërruan prej tërmetit.

Kluge tha se këta rezervuarë kanë nevojë për zëvendësim urgjent, pasi vendi përballet me shpërthime kolere, të cilat ishin një problem edhe para tërmetit.

Më herët, OBSH-ja njoftoi se organizatat humanitare në rajon tani përballen me sfidën për të siguruar që ata që i mbijetuan tërmeteve të mund të vazhdojnë të mbijetojnë mes kushteve të tmerrshme.

Menaxheri i reagimit në OBSH tha se mijëra persona kanë mbetur pa shtëpi, në kushte të përkeqësuara dhe me akses të ndërprerë në energji elektrike, karburant, komunikim dhe ujë. (Irma)