BE: Shqipëria, pjesë e mbështetjes europiane për të prekurit nga tërmeti në Turqi
2023-02-09 10:53:51

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë vlerësoi mobilizimin përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së të ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore në Turqi, pas tërmetit shkatërrimtar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së informoi se ekipi shqiptar i kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës mjekësore me 54 anëtarë, të mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ndodhet tashmë në terren për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar.

“Shqipëria, së bashku me 18 shtete evuropiane, u bë menjëherë pjesë e mbështetjes europiane për të prekurit nga tërmeti. Shembulli më i mirë i solidaritetit europian”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës së BE-së, citon “ATSH”.

Pak ditë më parë, Shqipëria hodhi hapin e fundit për t’u bërë anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke miratuar në Kuvend marrëveshjen përkatëse. (Irma)