Çuçi: Miratuam vendimin, lëvizja në Ballkanin Perëndimor vetëm me kartë identiteti
2023-02-02 14:52:27

Bledi Cuci (Foto RTSH)

Bledi Cuci (Foto RTSH)

Qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e nënshkruar në nëntor 2022 në Berlin për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor.  

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë qytetarët në Ballkanin Perëndimor do të mund të qarkullojnë lirisht në Shqipëri vetëm me kartë identiteti, raporton “RTSH”.  

Po ashtu, Çuçi theksoi se një tjetër vendim i marrë është edhe miratimi i planit të veprimit kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda 2023-2025, ku do të krijohet agjencia për rikuperimin e aseteve apo për trajnimin në fushën kibernetike.  Ministri theksoi se qeveria miratoi edhe marrëveshjen e nënshkruar me Maqedoninë e Veriut për krijimin e task forcave për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Sipas tij, është një marrëveshje që duhet të ratifikohet në Kuvend.  

I pyetur në lidhje me çmontimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga grupet kriminale, ministri Çuçi tha se nuk janë evidentuar për shkak se ka pasur një kamuflim, por theksoi se në këtë mënyrë po i dërgohet mesazh botës së krimit se nuk mund të veprojnë të lirë.