Foto nga VCG
Japonia nuk duhet ta lëshojë në mënyrë arbitrare në det ujin e ndotur bërthamor para se të zhvillojë konsultime të plota me vendet fqinje dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse, u shpreh në një konferencë shtypi të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning.
Sipas njoftimeve, nga 16 deri më 20 janar, grupi i punës i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike shkoi përsëri në Japoni për të shqyrtuar problemin e trajtimit të ujit të ndotur bërthamor të centralit të Fukushimës. Raporti përkatës mbi këtë çështje do të publikohet brenda tre muajve. Megjithëkëtë, më 13 janar, qeveria japoneze vendosi në mënyrë të njëanshme të nisë hedhjen në det të ujit të ndotur bërthamor në verën e këtij viti. Lidhur me këtë, Mao Ning u shpreh:
"Kina i kushton rëndësi të madhe problemit të trajtimit të ujit të ndotur bërthamor në Fukushima dhe përkrah shqyrtimin dhe vlerësimin e këtij problemi prej Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Grupi i punës i Agjencisë duhet t'u përmbahet parimeve të objektivitetit, paanësisë e shkencës dhe të zbatojë rreptësisht standardet e sigurisë bërthamore, për të garantuar sigurinë absolute të trajtimit të ujit të ndotur bërthamor".
Zëdhënësja shtoi më tej që nuk ka asnjë precedent të lëshimit në det të ujit të ndotur bërthamor, veçanërisht duke pasur parasysh që procesi i lëshimit nga pala japoneze do të zgjatë për 30 vjet. Deri tani Japonia nuk ka paraqitur dëshmi shkencore e bazë faktike të mjaftueshme dhe nuk ka zgjidhur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për ligjshmërinë, besueshmërinë e të dhënave, efektivitetin e pajisjeve të pastrimit, paqartësinë lidhur me ndikimin mbi mjedisin të lëshimit në det të ujit të ndotur bërthamor etj.