Rindërtohet dispanseria e Vlorës, Rama: Puna vijon me transformimin e urgjencës
2023-02-02 14:41:13

Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)

Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)

Spitali Rajonal i Vlorës ofron tashmë shërbim të modernizuar me teknologji të nivelit të lartë të dispanserisë dhe farmacisë, nga investimet e fundit të bëra nga buxheti i shtetit për rehabilitimin e plotë të këtyre mjediseve.

Puna vijon ende për fuqizimin dhe modernizimin e urgjencës, që synon të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët. Në shërbimin e dispanserisë në vit marrin shërbim të dedikuar rreth 2500 pacientë kronikë, që kryejnë jo vetëm konsulta të specializuara pranë mjekëve pneumologë, por përfitojnë edhe kryerjen e ekzaminimeve të thelluara të spirometrisë dhe rëntgenit, bën të ditur “RTSH”.

Kryeministri Edi Rama vizitoi mjediset e reja të dispanserisë dhe farmacisë, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe procedurave standarde operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.

Përfundimi i zbatimit të këtij projekti përkon me fillimin e sezonit turistik, kur spitali i Vlorës, si spitali më i madh për rajonin e jugut, është një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë.

Gjatë inspektimit, ministrja Manastirliu shpjegoi investimet e bëra në shërbimin e dispanserisë dhe atë të farmacisë.

Ministrja Manastirliu theksoi se përparësi mbetet përmbyllja e investimit tjetër madhor në shërbimin e urgjencës dhe më pas në atë të kirurgjisë. (Elona)