“Durrës Yacht & Marina”, Balluku: Një prej projekteve më të mëdha ekonomike në rajon
2023-01-31 11:22:43

Marreveshja per portin e Durresit (Foto Rtsh)

Marreveshja per portin e Durresit (Foto Rtsh)

Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e konsideron si një nga projektet më të mëdha ekonomike në vend.

Balluku u shpreh se ky projekt është i pari i këtij lloji, për pjesmarrjen e shtetit shqiptar si bashkëzhvillues në një partneritet publik privat që parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët, ku shteti dhe aksioneri, kanë të gjitha benefitet në të ardhura dhe fitim, përcjell “RTSH”.

“Ky është projekti më i madh ekonomik që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Për herë të parë shteti shqiptar është bashkaksioner në një projekt që do të ketë një vlerë investimi rreth 2 miliardë euro. Ky projekt do të ndryshojë të gjithë pamjen e turizmit për të gjithë rajonin”,- tha Balluku.

“Durrësi do të bëhet me dy porte, porti tregtar i Porto-Romanos dhe porti për të cilin po flasim “Durrës Yacht & Marina”. Më 1 shkurt bëjmë prezantimin e projekti të detajuar inxhinierit për kompanitë që janë të interesuara dhe janë rreth 40 kompani të interesuara”,- theksoi ministrja Balluku.

Flamur të ri të ndryshimit dhe transformimit në unazën mesdhetare, e konsideroi kryeministri Edi Rama, projektin “Durrës Yacht & Marina”. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i qeverisë deklaroi se projekti vendos një themeli të ri për Shqipërinë turistike, dhe se sipas tij, është lokomotiv e re zhvillimit ekonomik e social për vendin.

“Është koha për të nisur punën në terren dhe për t’i hapur rrugë këtij transforimi i të paimagjinueshëm deri pak vite më parë. Procesi ka qenë i gjatë, i vështirë, me shumë yçkla, në aspektin teknoko-ligjor dhe me firmosjen e kontrastës, ky proces përfundon dhe fillon një proces tjetër, ai i çeljes së kantierit, i fillimit të punës dhe i hapjes së një fronti të ri punësimi. Durrës Marina hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotiv që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik, dhe si konkurrent në një tregun ndërkombëtar që do të ofrojë shërbime të një cilësie të padiskutueshme dhe punësim cilësor”, tha Rama.

Ndërsa, kreu i kompanisë e cila do të ndërtojë portin turistik të Durrësit, Mohamed Alabbar, i pranishëm në firmosjën e marrëveshjes, tha se ky do të jetë një nga projektet zhvillimore më të përparuara në botë.

“Disa gjëra që do të bëhen këtu janë më të përparuara dhe se në Dubai. Flitet për qytete inteligjente dhe në Durrës do të jetë një nga më të përparuarit. Kemi punuar një vit me ekipin tonë duke hartuar një listë të zgjidhjeve inteligjente kudo në botë, e cila do të mbulojë kursimin e energjisë, pra do të flasim për efikasitet energjetik dhe e gjitha kjo është pjesë e një zgjedhje të qëndrueshme”, përfundoi Alabbar. (Irma)