Importi nga vendet e EQL-së në Ningbo shënon rekord të ri
2023-01-30 18:04:05

Sipas të dhënave të doganës së Ningbo-s, në vitin 2022, vëllimi i import-eksportit nga vendet e Europës Qendrore e Lindore (EQL) në këtë qytet të Kinës Lindore arriti në 45 miliardë e 40 milionë juanë (rreth 6 miliardë e 670 milionë dollarë). Ndër to, vëllimi i importit është 11 miliardë e 150 milionë juanë, ndërsa i eksportit 33 miliardë e 890 milionë juanë, duke u shtuar përkatësisht 47.5 % e 10.5 % në krahasim me vitin 2021. Kjo është hera e parë që vëllimi vjetor i importit nga vendet e EQL-së në Ningbo arrin mbi 10 miliardë juanë.

Vitin e kaluar, Ningbo importoi mbi 4000 lloje mallrash prej vendeve të EQL-së, me një vlerë prej 210 milionë juanësh. Importi i produkteve bujqësore arriti në 96 milionë e 120 mijë juanë, dhe i ushqimeve 95 milionë e 329 mijë juanë, 21.6 % dhe 20.9 % më shumë se në vitin 2021.

Ningbo është një dritare e rëndësishme e shkëmbimeve dhe e bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve të EQL-së dhe është e vetmja zonë pilot e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dypalësh në Kinë. Që nga viti 2015, Ningbo ka organizuar për katër herë me radhë Panairin e Investimeve e të Tregtisë Kinë-Vendet e EQL-së dhe dy herë Panairin Kinë-Vendet e EQL-së. Pavijoni i Mallrave të Vendeve të EQL-së në Qendrën e Konferencave dhe të Ekspozitave të Ningbo-s është salla më e madhe dhe me llojet më të shumta të mallrave të EQL-së në Kinë. Ndërkohë, Qendra e Informacionit Doganor Kinë-Vendet e EQL-së, e krijuar në prill të vitit 2021 në Ningbo, ka publikuar vijimisht masat e lehtësimit të zhdoganimit dhe informacionin mbi tregtinë dypalëshe, duke luajtur një rol të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit tregtar ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së. (Fani)