Kina fton të gjitha palët që të vetëpërmbahen dhe me gjakftohtësi të frenojnë tensionin Palestinë-Izrael
2023-01-29 18:14:29

Ministria e Jashtme Kineze (MJK) u bëri thirrje të dielën të gjitha palëve, "Izraelit në veçanti", që të vetëpërmbahen dhe me gjakftohtësi të frenojnë përshkallëzimin e tensioneve mes Palestinës dhe Izraelit.

Xinhua

Një zëdhënës i MJK-së u shpreh në një konferencë shtypi se Kina po i kushton vëmendje të madhe përshkallëzimit të tensioneve kohët e fundit mes Palestinës dhe Izraelit dhe u ndje shumë i trishtuar për vdekjen dhe plagosjen e banorëve civilë. Kina dënon të gjitha sulmet terroriste ndaj banorëve civilë dhe kundërshton përdorimin e tepruar të forcës. Kina është e mendimit se prioriteti kryesor për momentin është qetësimi i situatës dhe ulja e tensionit rajonal. Kina fton palët e interesuara, "Izraelit në veçanti", që të vetëpërmbahen, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të parandalojnë daljen jashtë kontrollit të situatës. 
Sipas zëdhënësit, konflikti i vazhdueshëm mes Palestinës dhe Izraelit, i ka rrënjët te “zgjidhja me dy shtete”, e cila nuk është zbatuar dhe kërkesa e arsyeshme e popullit palestinez për një shtet të pavarur nuk është realizuar prej një kohe të gjatë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë kushtet për rifillimin e dialogut mes Palestinës dhe Izraelit dhe Kina do të vazhdojë përpjekjet e pandërprera për një zgjidhje të drejtë, gjithpërfshirëse dhe afatgjatë të çështjes së Palestinës, u shpreh zëdhënësi i MJK-së.

Xinhua

Kohët e fundit, tensioni mes Palestinës dhe Izraelit është përshkallëzuar, duke u shoqëruar së fundi me konflikte të dhunshme. Më 26 janar, në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, ushtria izraelite u përlesh dhunshëm me palestinezët gjatë një fushate arrestimesh, duke shkaktuar vrasjen e mbi 10 palestinezëve. Më 27 janar, në një vend fetar në Jeruzalemin Lindor ndodhi një sulm terrorist, që shkaktoi të tjera viktima civile si dhe plagosjen e disa të tjerëve. (Xu Guang)