Ngrohje në nivel të lartë për të mbrojtur Mohe nga ngrirja
2023-01-28 19:54:07


Mohe, një qytet në provincën Heilongjiang, regjistroi një temperaturë prej -53 Celcius më 22 janar, temperatura më e ulët e regjistruar që nga viti 1969, pasi Kina është përfshirë nga vala e të ftohtit, bëri të ditur Qendra Kombëtare Meteorologjike, citon “China Daily”.

Hera e fundit që merkuri ra nën -50 C ishte në shkurt 1969, kur arriti -52.3. Kjo shifër u regjistrua edhe në Mohe, që është qyteti më verior i Kinës.

Punonjësit e policisë rrugore dhe kompanive termike kanë punuar për të mbajtur qytetin në funksion.

“Të gjitha kaldajat tani funksionojnë me fuqinë maksimale. Ne po djegim më shumë qymyr, rreth 30 për qind më shumë se zakonisht, për të prodhuar më shumë nxehtësi, veçanërisht për festën e Festës së Pranverës”,- tha Xin Haiqi, i cili punon në një kompani termike në Mohe.

Pajisjet e ngrohjes monitorohen 24 orë në ditë për t'u siguruar që temperaturat e brendshme të qëndrojnë të njëjta pavarësisht të ftohtit, tha Xin.

“China Railway Harbin Group” njoftoi se deri më tani këtë vit ka transportuar rreth 6 milionë tonë qymyr për qëllime ngrohjeje, një rritje prej 19.6 për qind nga viti në vit, për të ndihmuar banorët e Heilongjiang gjatë dimrit.

I ftohti ekstrem ka çuar në mjegull akulli në Mohe, duke ulur dukshmërinë në më pak se 10 metra. Policia rrugore po përballon temperaturat ekstreme për të drejtuar trafikun, por ndërron turne çdo 10 minuta dhe jo çdo orë, për të qëndruar të sigurt.

Qendra Meteorologjike bëri të ditur se një tjetër vale të ftohti parashikohet të përfshijë Kinën, duke sjellë erëra të forta dhe temperatura të ftohta.

Temperaturat parashikohet të bien nga 8 deri në 12 gradë Celsius në disa zona jugore, por duke filluar nga e diela temperaturat do të rriten pak në zonat veriore dhe lindore.

Rajoni Autonom i Tibetit parashikohet të goditet nga dëbora e madhe nga e diela deri të martën, sipas qendrës.

Gjatë 30 viteve të fundit, mesatarisht 5.4 valë të të ftohtit kanë ndodhur në Kinë çdo vit. Numri më i lartë i të ftohtit që nga viti 1991 u regjistrua në vitin 2021, i cili përjetoi 11, të ndjekura nga viti 2009 me tetë, sipas Administratës Meteorologjike të Kinës. (Irma)