Rastet e COVID-19 në Kinë ranë ndjeshëm në janar
2023-01-26 11:16:11

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Numri i rasteve të COVID-19 ra ndjeshëm në Kinë në muajin e parë të vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga autoriteti i kontrollit të sëmundjeve.

Shumë nga shifrat kanë rënë nën nivelet para optimizimit të politikës së parandalimit dhe kontrollit të COVID, duke shfaqur një prirje të qartë mëkëmbjeje.

Vizitat ditore në klinikat e etheve arritën në 2.86 milionë më 23 dhjetor, dhe më pas ranë me 97.8 për qind, duke arritur në rreth 63 mijë të hënën, sipas Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Numri i pacientëve me COVID-19 të shtruar në spitale në tërë pjesën kontinentale të Kinës ra me 84.8 për qind, duke arritur në 248 000 të hënën, nga 1.62 milionë më 5 janar. Edhe rastet e rënda u pakësuan me 72 për qind, duke arritur nga 128 000 më 5 janar në 36 000 të hënën.

Numri i vdekjeve ditore ra me 79 për qind, nga 4 273 më 4 janar në 896 të hënën, treguan të dhënat e CDC-së.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

BA.5.2 është nënvarianti kryesor

CDC-ja bëri të ditur se ka mbledhur 10 165 mostra virusesh nga mbarë pjesa kontinentale e Kinës që nga fillimi i dhjetorit, mbi 70 për qind e të cilave i përkasin nënvariantit BA.5.2 të “Omicron”-it.

Nënvariantet e tjera, si BA.5.1, BA.2.76 dhe BN.1.3, përbënin secili më pak se 0.4 për qind.

Nënvarianti i dytë më i përhapur është BF.7, me më shumë se 28 për qind. Pekini dhe Tianjin-i janë dy zonat e vetme në nivel province ku BF.7 ka qenë nënvariant zotërues gjatë kësaj periudhe.

Foto nga VCG

Foto nga VCG


Edhe vaksinimi kundër COVID-19 ka pasur përparim, me më shumë se 3.4 miliardë doza të bëra në të gjithë pjesën kontinentale të Kinës.

Më shumë se 90.5 për qind e popullsisë kineze është vaksinuar plotësisht, nga 90.1 për qind në gusht 2022.

Autoritetet shëndetësore të Kinës janë përpjekur të vaksinojnë më shumë të moshuar për të pakësuar rastet e rënda. Sipas një studimi të fundit të CDC-së, 96 për qind e të moshuarve mbi 60 vjeç janë vaksinuar plotësisht, ndërsa 92 për qind po bëjnë një dozë përforcuese.