Rriten çmimet e bulmetit, prodhuesit: Ndikon mungesa e lëndës së parë si dhe çmimi i karburantit
2023-01-26 14:05:36

Prodhime bulmeti (Foto Agro news)

Prodhime bulmeti (Foto Agro news)

Çmimi i nënprodukteve të qumështit në Shqipëri ka pësuar një rritje nga 10-20% në tregun me pakicë. Kjo situatë, sipas prodhuesve të këtyre nënprodukteve, ka ardhur si pasojë e disa faktorëve, ku ata rendisin uljen e numrit të krerëve të bagëtive, çka ka bërë që lënda e parë të sigurohet më me vështirësi si dhe rritjen e çmimit të karburantit duke shtuar kostot e transportit të prodhimit, citon “RTSH”.

Për konsumatorin, çmimet me të cilat këto produkte të konsumit të përditshëm tregtohen janë të larta. Çmimi i djathit të lopës në treg shkon deri në 800 lekë, i deles 900 lekë, i dhisë 1 mijë lekë, kaçkavalli rreth 1 mijë dhe 1200 lekë, gjalpi i lopës 900 lekë etj. Nga viti i kaluar, kryesisht djathi dhe kaçkavalli janë shtrenjtuar me 100 deri në 200 lekë.

Pas censusit të fundit të kryer nga shërbimi veterinar, rezultoi se ka një ulje me rreth 3% të numrit të gjedhit dhe rreth 7% për bagëtitë e imëta. Kjo vjen për disa arsye, si plakja e popullsisë rurale e në pamundësi për t’u shërbyer kafshëve, i kanë shitur bagëtitë, si edhe si pasojë e interesit të pakët nga të rinjtë për të investuar në sektorin e blegtorisë. (Elona)