Presidenti kinez mban videofjalim në samitin e 7-të të BShALK-ut
2023-01-25 11:26:26

Foto: VCG

Samiti i shtatë i Bashkësisë së Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (BShALK) u mbajt të martën në kryeqytetin e Argjentinës Buenos-Aires. Me ftesën e presidentit të radhës të BShALK-ut, homologut të vet argjentinas Alberto Fernandez, presidenti kinez Xi Jinping mbajti një videofjalim në këtë samit.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se vendet e Amerikës Latine e të Karaibeve janë vende të rëndësishme në zhvillim dhe pjesëmarrëse aktive në qeverisjen globale, duke dhënë kontribute të rëndësishme në të. BShALK-u është bërë një forcë e rëndësishme e bashkëpunimit global Jug-Jug dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes rajonale, promovimin e zhvillimit të përbashkët e përparimin e integrimit rajonal.

Xi theksoi se Kina mbështet gjithmonë procesin e integrimit rajonal të Amerikës Latine dhe të Karaibeve.

"Ne u kushtojmë rëndësi marrëdhënieve me BShALK-un dhe mendojmë se BShALK-u është partneri ynë kryesor në forcimin e solidaritetit ndërmjet vendeve në zhvillim dhe të bashkëpunimit Jug-Jug. Kjo është arsyeja pse Kina ka punuar me vendet e Amerikës Latine dhe të Karaibeve për të forcuar në mënyrë të qëndrueshme Forumin Kinë-BShALK dhe për t’i futur marrëdhëniet Kinë-BShALK në epokën e re të karakterizuar nga barazia, përfitimet e ndërsjella, risitë dhe hapja, duke sjellë më shumë të mira për popujt,” tha ai. (Çang Çuo)