IEA: Kina, motori i teknologjive të energjisë së pastër
2023-01-20 17:29:20

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, deklaroi se ai pret që ekonomia e Kinës të performojë më mirë këtë vit së bashku me një rritje të kërkesës për naftë dhe gaz. Ai gjithashtu theksoi rolin kryesor që luan Kina në teknologjitë e gjelbra.

“Kina sot është motori më i madh i teknologjive të energjisë së pastër”,- deklaroi ai për “Xinhua”, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, duke shtuar se Kina është numri një në botë për mjetet me energji diellore, të erës, makinat elektrike dhe objektet e reja bërthamore.

“Kjo është shumë e mirë, por në të njëjtën kohë Kina duhet të gjejë mënyra për t'u marrë me emetimet e qymyrit. Shpresoj shumë që Kina do të arrijë një kulm të emetimeve përpara vitit 2030 dhe do t’i arrijë objektivat e saj”,- tha ai.

Kina synon të ketë kulmin e emetimeve të CO2-shit para vitit 2030 dhe të arrijë neutralitetin e karbonit përpara vitit 2060.

I pyetur për perspektivën e tij për çmimet e energjisë, ai tha se viti 2023 do të jetë një vit shumë i vështirë për tregjet e energjisë, sepse ka ende pasiguri si situata e eksportit të energjisë ruse dhe kërkesa globale.

Birol tha se në vitin 2022, kërkesa për naftë dhe gaz në Kinë ra për herë të parë në 40 vjet.

Rritja e çmimeve globale në një sërë burimesh energjie, duke përfshirë naftën, gazin natyror dhe qymyrin, ka goditur konsumatorët pasi ata tashmë duhet të përballen me presionet në rritje inflacioniste në mbarë botën.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi që rritja ekonomike globale të ngadalësohej nga 3.2 për qind në 2.7 për qind këtë vit në raportin e tij nëntorin e kaluar, ndërsa priste që ekonomia kineze të rritej me 4.4 për qind në vitin 2023.

Në dhjetor, IEA bëri të ditur se kërkesa globale për qymyr do të rritet pak këtë vit dhe kërkoi përpjekje më të forta globale për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë së pastër.

Përdorimi global i qymyrit ishte vendosur të rritet me 1.2 për qind në vitin 2022 dhe ka tejkaluar 8 miliardë tonë, sipas raportit vjetor të tregut të IEA-së për këtë sektor. (Irma)