Që prej së enjtes, një ndër aeroportet më të ngarkuara në botë, Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait të Emirateve të Bashkuara Arabe, filloi të shfaqë videon promovuese të Galasë së Festës së Pranverës 2023 të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Muzika e gëzuar festive, skenat e ngrohta të bashkimit familjar dhe pamjet madhështore të Kinës i bënë udhëtarët që të ndalonin ecjen dhe ta shijonin e të ndienin para kohe bukurinë dhe gëzimin e Festës së Pranverës.
Zhao Yan, punonjës në një dyqan të aeroportit, tha: “Jam në Dubai prej 15 vjetësh. Ne e kemi shikuar çdo vit Galanë e Festës së Pranverës. Personalisht, mua më pëlqen dialogë komikë të Galasë. Me optimizimin e masave antiepidemike të Kinës, shpresojmë se gjithnjë e më shumë vizitorë kinezë do të kthehen në Dubai. ”
Vitet e fundit, me përhapjen e kulturës kineze në botë, është zgjeruar vazhdimisht ndikimi i Festës së Pranverës edhe në vende të tjera. Në ekranet e dyqaneve dhe zonave të pritjes të Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait mund të shihen urime për Festën e Pranverës. Si një pjesë e pandashme e kësaj feste, galaja ka tërhequr gjithnjë e më shumë shikues të huaj që e duan kulturën kineze.
Një udhëtar i tha CMG-së: “Unë njoh shumë kinezë dhe kam shumë miq kinezë. Ata janë shumë miqësorë. E di që Festa e Pranverës është një festë shumë e rëndësishme për kinezët. U urojmë miqve kinezë ‘Gëzuar festën!’.”
Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait të Emirateve të Bashkuara Arabe është një ndër aeroportet më të ngarkuara në botë. Numri i udhëtarëve këtu i kalon 90 milionët në vit, dhe çdo javë mbi 6 500 avionë të 140 kompanive ajrore shkojnë në mbi 270 vende e rajone të ndryshme të botës. Sivjet është viti i tretë me radhë që shfaqet në këtë aeroport videoja promovuese e Galasë së Festës së Pranverës.
Në vigjiljen e Vitit të Ri, Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait do të transmetojë të tërë galanë, duke e kremtuar festën me udhëtarë nga vende të ndryshme. Përveç kësaj, një shfaqje dritash nga CMG-ja do të jepet më 20 dhe 21 janar në ndërtesën më të lartë të botës, Kullën “Burj Khalifa” të Dubait, dhe do të zhvillohen aktivitete festive në rrotën e Ferrisit më të madhe në botë, “Syri i Dubait”.