Rigjallërimi rural arrin fryte, të ardhurat e fermerëve rriten
2023-01-18 20:16:50

Fermerë mbjellin farë në një fshat të qytetit Shizuishan, Rajon Autonom Ningxia-Hui i Kinës Veriperëndimore,13 prill 2022(Foto:VCG)

Kina ka vazhduar të ketë korrje të mbara vitin e kaluar, në sfondin e përpjekjeve për zhvillimin e bujqësisë së gjelbër moderne, tha një zyrtar të mërkurën në një konferencë shtypi rreth rezultateve të ekonomisë bujqësore e rurale në vitin 2022.

"Prodhimi i drithërave në Kinë ka mbetur mbi 650 milionë tonë për tetë vjet në radhë," tha Zeng Yande, kreu i departamentit të zhvillimit dhe planifikimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Kinës.

Zeng shtoi se zona e mbjellë me drithëra ishte 1.775 miliard mu (rreth 118 milionë hektarë), me një rritje prej 10.52 milionë mu krahasuar me vitin 2021, dhe prodhimi ishte 685 milionë tonë, 3.7 milionë tonë më shumë.

Ndërtimi i bujqësisë moderne me bazë teknologjike dhe transformimi i gjelbër në zhvillimin e bujqësisë u theksuan gjithashtu në konferencën e shtypit.

Një fermer ngarkon grurin në karrocë në Liaocheng të provincës Shandong të Kinës Lindore, 12 dhjetor 2022. (Foto:VCG)

Norma e përdorimit të plehrave ushqyese dhe pesticideve e kaloi 41 për qind, ndërsa e përdorimit të mbetjeve fekale dhe ujërave të zeza, kashtës dhe mbulesës bujqësore arriti përkatësisht në 78, 88 dhe 80 për qind, tha Zeng Yande, duke shtuar se problemet e mjedisit ekologjik bujqësor janë vënë nën kontroll.

Ai vuri në dukje se prodhimi i produkteve bujqësore me tregues të gjelbër, organikë e gjeografikë zuri 11 për qind të vëllimit të përgjithshëm dhe 97.6 për qind e produkteve bujqësore e kaluan kontrollin e zakonshëm për cilësinë e sigurinë.

Zhvillimi i bujqësisë moderne ka rritur të ardhurat e fermerëve dhe ka përmirësuar mjedisin e tyre të jetesës.

Të ardhurat e disponueshme për frymë të banorëve të fshatit arritën në 20 133 juanë (rreth 2 968 dollarë) vitin e kaluar, me një rritje reale 4.2 për qind, dhe raporti i të ardhurave për frymë të banorëve të qytetit dhe atyre të fshatit ishte 2.45 juanë, 0.05 më pak sesa në vitin 2021, bëri të ditur zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale.

Sipas tij, këtë vit do të bëhen të gjitha përpjekjet për të garantuar sigurinë ushqimore kombëtare dhe për të arritur përparim të madh në detyrat kryesore, duke përfshirë zhvillimin e ndërtimin rural, për të nxitur kështu rigjallërimin rural dhe përshpejtimin e modernizimit bujqësor e rural.(Artan)