Kryeministri kinez nxit korporatën e energjisë elektrike të garantojë furnizimin gjatë festës
2023-01-18 20:50:45

 

Kryeministri kinez Li Keqiang vizitoi një qendër të kontrollit të energjisë gjatë inspektimit në Korporatën Shtetërore të Rrjetit të Kinës, 17 janar 2023. (Foto: Xinhua)

Kryeministri kinez Li Keqiang nxiti Korporatën Shtetërore të Rrjetit të Kinës (SGCC), korporata shtetërore që administron rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, të marrë masa të ndryshme për të garantuar furnizimin gjatë Festës së Pranverës.

Gjatë një inspektimi të martën në terren, pesë ditë para Vitit të Ri Kinez, që njihet edhe si Festa e Pranverës, kryeministri Li vuri në dukje se viti i kaluar ishte i jashtëzakonshëm për ekonominë kineze, që u ndesh me problemet energjetike ndërkombëtare, luhatjet drastike të çmimeve dhe mungesën për një periudhë të furnizimit të brendshëm me elektricitet prej temperaturave të larta dhe reshjeve të pakta.

Megjithatë, me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve, u përmbush kërkesa e brendshme, u mbështet rritja ekonomike në një nivel të përshtatshëm dhe, në veçanti, u stabilizuan çmimet e mallrave.

Kreu i qeverisë kineze u shpreh se konsumi i energjisë do të vijojë të qëndrojë në një nivel të lartë pas Festës së Pranverës, dhe kërkesa do të rritet gjithashtu me zhvillimin e ekonomisë kineze nga zbatimi i masave të përmirësuara të reagimit ndaj COVID-19.

Li theksoi se furnizimi i energjisë duhet të rritet në të njëjtën kohë dhe shpërndarja ndërrajonale e energjisë dhe bashkërendimi mes prodhuesve të ndryshëm të energjisë duhet të përmirësohen, për të garantuar furnizimin në kulmin e përdorimit sipas kërkesave të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit.

Duke vënë në dukje se Kina është ende në procesin e industrializimit dhe të urbanizimit, kur “energjia është bazë e të gjitha bazave”, kryeministri Li e nxiti SGCC-në të thellojë reformat e orientuara nga tregu, të shtojë risitë shkencore e teknologjike, të ngrejë aftësinë për garantimin e furnizimit me energji e të forcojë bashkëpunimin energjetik ndërkombëtar.(Zhang Yan/Artan)