Xi Jinping-u nxit personat jo anëtarë të PKK-së t’u shërbejnë më mirë interesave të vendit
2023-01-17 12:54:38

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping u bëri thirrje të hënën personave jo anëtarë të PKK-së të përmbushin detyrat e tyre duke bërë më shumë përpjekje dhe me vendosmëri më të madhe, si edhe të bashkojnë më shumë forcat për t’u shërbyer interesave të përgjithshme të vendit.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Xi, gjithashtu president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Ushtarak Qendror, i tha këto gjatë pjesëmarrjes në një mbledhje vjetore me personat jo anëtarë të PKK-së në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin. Pjesëmarrësit përfshinin zyrtarë të komiteteve qendrore të partive jokomuniste të Kinës, përfaqësues të Federatës Mbarëkineze të Industrisë dhe të Tregtisë e persona pa parti.

Xi i uroi ata për Festën e Pranverës që do të kremtohet së shpejti, dhe tha se viti 2022 shënoi 100-vjetorin e themelimit të frontit të bashkuar të propozuar nga Partia Komuniste e Kinës, i cili ka ndihmuar në sigurimin e mbështetjes së popullit dhe bashkimin e forcave të tij. Xi çmoi lart kontributin e komiteteve qendrore të partive jokomuniste të Kinës dhe personave pa parti, duke thënë se ata kanë kryer hetime të thella dhe mbikëqyrje demokratike mbi çështje madhore të reformës e zhvillimit, duke ofruar pika të rëndësishme referimi për Komitetin Qendror të PKK-së për të marrë vendime shkencore dhe për të zbatuar politika efektive.

Xi vlerësoi gjithashtu dhe shprehu falënderim të përzemërt për projektin "Dhjetë mijë ndërmarrje rigjallërojnë dhjetë mijë fshatra" të nxitur prej Federatës Mbarëkineze të Industrisë dhe të Tregtisë, duke thënë se ky projekt i ka orientuar kompanitë private për të marrë pjesë aktive në rigjallërimin rural dhe për të përmbushur përgjegjësitë e tyre shoqërore, gjë që ndihmon për arritjen e zhvillimit me cilësi të lartë.

Xi Jinping-u theksoi se mbështetja e udhëheqjes së PKK-së dhe puna me një zemër e një mendje me të është themeli politik për bashkëpunimin shumëpartiak. Prandaj, përgjegjësia kryesore politike e udhëheqjes së re të personave jo anëtarë të PKK-së është të konsolidojnë njohjen e udhëheqjes së PKK-së dhe të socializmit me karakteristika kineze, duke zbatuar vendimet dhe planet e hartuara nga Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së.

Pallati i Madh i Popullit, Pekin(Foto:VCG)

Pallati i Madh i Popullit, Pekin(Foto:VCG)

Xi vuri në dukje më tej se, për ta bërë Kinën një vend socialist modern në të gjitha drejtimet dhe për të realizuar rilindjen e madhe të kombit kinez, kërkohet që i gjithë vendi të punojë së bashku. Ai shprehu shpresën që partitë jokomuniste do të përqendrohen në punën e tyre në çështje të tilla të mëdha si krijimi i një modeli të ri zhvillimi dhe arritja e begatisë së përbashkët, kryerja e kërkimeve dhe hetimeve të thella, diversifikimi i mënyrave dhe rrugëve për ta bërë mbikëqyrjen demokratike më të saktë e efektive dhe dhënia aktivisht e sugjerimeve për PKK-në. Përveç kësaj, Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe e Tregtisë duhet gjithashtu të nxisë zbatimin e politikave pro ndërmarrjeve, t’i ndihmojë kompanitë private të zgjidhin vështirësitë konkrete dhe të forcojë besimin e ekonomisë private, theksoi Xi.

Ai shtoi se, për të shfrytëzuar plotësisht epërsitë politike të sistemit të ri të partive politike të Kinës, partitë jokomuniste duhet të forcojnë vazhdimisht aftësitë e tyre politike, duke përfshirë udhëheqjen, konsultimin, bashkëpunimin dhe zgjidhjen e problemeve, të mbështeten te traditat e shkëlqyera të atdhetarizmit, sinqeritetit, bashkëpunimit e përkushtimit dhe të krijojnë një imazh pragmatik, të pastër e të sinqertë te populli. Kurse Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe e Tregtisë, që sivjet kremton 70-vjetorin e themelimit, duhet të vazhdojë reformat e risitë dhe të luajë më mirë rolin si një urë lidhëse mes PKK-së dhe kompanive.(Artan)