Kreu i ri i zyrës së ndërlidhjes i kërkon Hong-Kongut të shfrytëzojë mundësitë
2023-01-16 14:33:39

Foto:VCG

Zheng Yanxiong, drejtori i ri i Zyrës Ndërlidhëse të Qeverisë Popullore Qendrore në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, i bëri thirrje të dielën qytetit të kapë mundësitë e ofruara nga pjesa kontinentale për të pasur më shumë begati.

Ai i tha këto në fjalimin e vet të parë për Festën e Pranverës të dielën pasdite, një ditë pasi Këshilli i Shtetit njoftoi emërimin e tij në këtë post.

Në videofjalimin e tij, Zheng theksoi se Hong-Kongu mund të bëhet më i begatë duke shfrytëzuar mundësitë e mëdha që sjell modernizimi i stilit kinez dhe duke marrë pjesë në procesin historik të përtëritjes së madhe të kombit kinez.

"Me pjesën e brendshme me hapësirë të gjerë për zhvillim, tregun e madh të konsumit dhe shtysën e pafundme për inovacion në pjesën kontinentale, atdheu ka ofruar një skenë të gjerë për ëndërrimtarët në Hong-Kong për të treguar talentin e tyre," u shpreh Zheng.

Ai i bëri thirrje gjithashtu Hong-Kongut të marrë pjesë në shkëmbimet e bashkëpunimin ndërkombëtar për të rritur forcën e vet konkurruese thelbësore në procesin e konsolidimit të pozicionit dhe epërsive të tij unike sipas parimit "Një vend, dy sisteme". (Çang Çuo)