Shangdong-u i Kinës planifikon të ndërtojë një grup portesh të nivelit botëror më 2023
2023-01-16 21:38:54

Pamje nga ajri e portit të Qingdaos në provincën Shandong të Kinës Lindore, 9 janar 2023 / CFP

Provinca Shandong e Kinës Lindore, një qendër e fuqishme ekonomike e vendit, pritet të ndërtojë një grup portesh të nivelit botëror këtë vit, sipas një raporti mbi veprimtarinë e pushtetit vendor të kësaj province të publikuar nga guvernatori i saj Zhou Naixiang.

Sivjet Shandong-u do të realizojë fazën e tretë të terminalit të automatizuar në portin “Qianwan” të Qingdaos, si dhe fazën e dytë të terminalit të naftës bruto prej 300 mijë tonësh në portin e Yantai-t perëndimor, tha Zhou.

Vëllimi i ngarkim-shkarkimit të porteve bregdetare të kësaj province arriti në 1.75 miliardë tonë në vitin 2022, duke u radhitur në vendin e parë në Kinë. Ndërkohë, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit i kaloi 3 trilionë juanët (afro 448 miliardë dollarë amerikanë) vitin e kaluar, ndërsa përdorimi real i investimeve të huaja u dyfishua, sipas Zhou-t.

Po më 2022, vëllimi i kontejnerëve në këtë grup portesh i kaloi 37 milionë njësitë standard, duke u radhitur në vendin e tretë në botë.

Vëllimi i ngarkim-shkarkimit në porte njihet si barometër i një ekonomie dhe rritja e tij shënon tregtinë aktive, gjallërinë dhe forcën e ekonomisë së provincës Shandong.

Punëtorë në portin e Qingdaos, 2 janar 2023 / CFP

Porti i Qingdaos, një nyjë ndërkombëtare e transportit në Azinë Verilindore, shtoi 28 linja të reja kontejnerësh vjet, duke pasur rritje prej 10 për qind në ndërtransportin ndërkombëtar në krahasim me vitin 2021.

Vëllimi i transportit ndërmodal detar-hekurudhor në këtë port i kaloi gjithashtu 1.9 milionë njësitë standard të kontejnerëve, duke ruajtur vendin e parë në Kinë për tetë vjet me radhë. (Wang Lei/ Artan)

Terminali i naftës bruto në portin Yantan më 1 janar 2023/ foto nga VCG