Intervistë me presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali
2023-01-14 17:09:34

Guajana është një vend me një popullsi prej më pak se 1 milionë në Amerikën Latine. Ajo ishte një ndër vendet e para të Amerikës së Jugut që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Burimet e naftës në det të hapur të zbuluara kohët e fundit e kanë shndërruar këtë vend ndër eksportuesit më të rëndësishëm të hemisferës perëndimore. 

Gazetari i CMG-së Wang Guan bëri një intervistë të veçantë me presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali

Wang Guan: Në vitin 1993, Kina dërgoi një ekip mjekësor në Guajana, i cili ishte grupi i parë që Kina dërgonte për Amerikën Latine dhe Karaibe. Në dy dekadat e fundit, qindra mjekë dhe infermierë kinezë kanë udhëtuar në vendin tuaj dhe kanë punuar ngushtë me punonjësit lokalë. Si i vlerësoni këto bashkëpunime mjekësore në forcimin e lidhjes mes dy popujve?

Mohamed Irfaan Ali: Mendoj se bashkëpunimet mjekësore janë jo vetëm të rëndësishme, por edhe thelbësore, meqenëse Kina ka një sistem shëndetësor shumë të përparuar. Keni ekspertë në shumë fusha, keni burime shumë të mira në kërkim dhe zhvillim, kështu që transferimi i teknologjisë dhe njohurive është një aspekt i bashkëpunimit ku ne fokusohemi. Kur këta specialistë vijnë në Guajana për të punuar me mjekët tanë, personeli ynë do të fitojë përvojë, por edhe njohuri të reja, të cilat do të ndihmojnë në ndërtimin e bazës sonë institucionale dhe burimeve njerëzore. Jemi ende nën ndikimin e epidemisë së COVID-19, por jo aq rëndë sa më parë. Por pas daljes nga kjo situatë, vendeve në zhvillim u nevojitet shumë mbështetja mjekësore. Shpresoj që Kina mund të luajë një rol të rëndësishëm në përkrahjen e rindërtimit mjekësor, veçanërisht në fushën e burimeve njerëzore dhe bazës mjekësore të shumë vendeve. Për shkak të vështirësive me të cilat po përballet bota, shumë punonjës të kujdesit shëndetësor fatkeqësisht kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë u tërhoqën nga ky profesion. Tashmë ekziston një fenomen, që punonjësit e shumë vendeve në zhvillim po tërhiqen nga vendet e zhvilluara, duke krijuar boshllëqe dhe vakum. Mendoj se kjo është një fushë që Kina mund ta zgjerojë dhe Guajana gjithashtu e pret me padurim këtë lloj bashkëpunimi.

Wang Guan: Në vitin 2021, vëllimi tregtar dypalësh mes Kinës dhe Guajanës arriti në mbi 700 milionë dollarë amerikanë. Në cilat fusha mendoni se të dy palët mund të gjejnë mundësi të reja bashkëpunimi në të ardhmen?

Mohamed Irfaan Ali: Kina ka shumë mundësi në Guajana, jo vetëm në projekte qeveritare, por edhe në sektorin privat. Zbulojmë se më shumë kompani kineze kanë interes për bujqësinë dhe hotelerinë, revolucionin teknologjik dhe ekonominë e njohurive, si dhe naftën apo gazin natyror. Kemi edhe një projekt të gazit natyror në det, ku shumë kompani kineze morën pjesë në tender. Investime kineze ka tashmë në shumë fusha.

Wang Guan: Zoti president, sipas të dhënave statistikore, në 7 vitet e fundit në Guajana janë zbuluar rreth 11 miliardë fuçi rezerva nafte, a është një vlerësim i arsyeshëm?

Mohamed Irfaan Ali: S'mund t'ju jap numrin e saktë. Por mund t'ju them se deri në vitin 2027 ose 2028, vëllimi i prodhimit të naftës në vendin tonë mund të afrojë 1 milionë fuçi naftë në ditë.

Wang Guan: Për çdo ditë?

Mohamed Irfaan Ali: 1 milionë fuçi naftë për çdo ditë. 

Wang Guan: Kjo mund ta bëjë Guajanën prodhuesen e dytë më të madhe të naftës për frymë, pas Kuvajtit.

Mohamed Irfaan Ali: Po. Kjo na jep mundësinë që të zhvillojmë edhe fusha të tjera, në mënyrë që njerëzit tanë të marrin arsim më të mirë, sistem më të mirë të kujdesit shëndetësor dhe bujqësia të jetë më e larmishme dhe konkuruese. Mund të përmirësojmë sektorët e prodhimit dhe industrisë, mund të ulim kostot e energjisë, mund të investojmë për transformimin e teknologjisë dhe infrastrukturës. Në të njëjtën kohë, po ndërtojmë një kornizë të fortë institucionale për të mbrojtur të ardhurat nga nafta, për të garantuar transparencë më të madhe në sistemin e llogaridhënies. 

Wang Guan: E dimë se Kina është vendi më i madh importues i naftës në botë dhe më kryesori për eksplorimin e saj. Ekziston hapësira e bashkëpunimit në fushën e energjisë mes dy vendeve?

Mohamed Irfaan Ali: Do të kemi bashkëpunim energjetik me Kinën dhe vendet e tjera në të ardhmen. Së pari, ne nuk mendojmë se karburantet fosile do të ndalohen menjëherë, por duhet të përpiqemi edhe për zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Sipërfaqja pyjore e Guajanës mund të ruajë 19.5 miliardë tonë dioksid karboni. Po nxitim një kornizë strategjike të zhvillimit të karbonit të ulët. Energjia e rinovueshme dhe përballimi i ndryshimeve klimatike janë pjesë e rëndësishme e punës sonë. Po hartojmë gjithashtu edhe një plan kombëtar për gazin natyror, sepse ai mund të jetë një burim i rëndësishëm energjie kalimtare. Kemi edhe projektin e hidrogjenit të gjelbër, ku merr pjesë si gjithmonë edhe Kina. Inkurajojmë vendin tuaj dhe vendet e tjera që të marrin pjesë në procesin e ndërtimit të kësaj platforme ndërkombëtare të energjisë.

Wang Guan: Përmendët transformimin e gjelbër. Keni nisur "Strategjinë e Zhvillimit me Karbon të Ulët 2030 në Guajana". Ne dimë gjithashtu se Kina po përpiqet për realizimin e dy objektivave të rëndësishme të pakësimit të lëshimit të karbonit. Si e shikoni bashkëpunimin e dy vendeve në transformimin e ekonomisë së gjelbër?

Mohamed Irfaan Ali: Mendoj se bashkëpunimet janë shumë thelbësore. Siç kam përmendur më parë, Kina ka teknologji, kapital dhe burime njerëzore, prandaj mund ta përshpejtojmë investimin për energjinë e gjelbër, si për shembull: hidrocentralet, energjia diellore dhe ajo e erës. Cili është problemi më i madh i vendeve në zhvillim? Kostoja e këtyre energjive të rinovueshme. Kina duhet të punojë globalisht për të përkrahur propozimet e përdorimit të energjive të rinovueshme. Në Guajana, kemi mundësi të mëdha bashkëpunimi në infrastrukturën energjetike.

Wang Guan: Për shumë vite, gazetarët e mediave perëndimore i kanë përshkruar aktivitetet ekonomike dhe investimet e Kinës në Amerikën Latine dhe Karaibe, duke përfshirë edhe Guajanën, si grabitqare dhe neokoloniale. E pranoni këtë përshkrim apo jo? Çfarë mendoni? 

Mohamed Irfaan Ali: Nëse do ta mendoja kështu, nuk do ta përmendja shpesh entuziazmin tonë për investimet dhe investitorët kinezë, nuk do ta kisha bërë atë që sapo thashë, nuk do të kisha thënë se ne e shohim Kinën, investimet dhe investitorët e saj, si një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe përparimit të kombit tonë. Ajo që duam ne, e dëshiron edhe Kina, që këto investime të jenë në interesin më të mirë të popullit tonë, duke mbështetur gjithashtu zhvillimin dhe përparimin e Kinës. Prandaj mendoj se marrëdhëniet mes dy vendeve do të bëhen edhe më të ngushta. Ky është opinioni im. (Xu Guang)