Qindra luftëtarë prej terrakote u zbuluan jashtë mauzoleut të perandorit Qinshihuang
2023-01-14 20:23:03

Mbi 220 luftëtarë prej terrakote janë zbuluar nga një gropë varrimi pranë mauzoleumit të perandorit Qinshihuang në provincën Shaanxi të Kinës veriperëndimore, njoftoi zyra provinciale e relikteve kulturore.

Zbulimi u bë gjatë një gërmimi të madh që filloi në vitin 2009, i treti i këtij lloji në gropën nr.1, i kryer në një sipërfaqe prej rreth 430 metra katrorë.

Gjithashtu u zbuluan gjithsej 16 kuaj prej terrakote, 4 karroca, disa armë dhe mjete prodhimi, shkruan “Xinhua”.

Sipas Shen Maosheng, një studiues në Muzeun e Mauzoleumit të Perandorit Qinshihuang, gjatë gërmimeve janë bërë disa përparime. Për shembull, u sqarua paraprakisht modeli i formimit të ushtrisë në gropë.

Arkeologët e kanë bërë të qartë gjithashtu procedurën e prodhimit të luftëtarëve prej terrakote -- trupave të figurinave iu bë gdhendje e detajuar përpara se të lidheshin armët me to.

Gropa nr.1, gropa më e madhe e varrimit e gërmuar deri më tani pranë mauzoleut, ka një sipërfaqe prej 14.260 metrash katrorë. Bazuar në densitetin e rregullimit të ushtrisë, pas gërmimit të plotë në gropë mund të zbulohen më shumë se 6000 luftëtarë dhe kuaj prej terrakote. (Irma)