Kryeministri kinez thekson forcimin e politikave mbështetëse për subjektet e tregut
2023-01-13 21:24:06

Kryeministri kinez Li Keqiang ka theksuar përpjekjet për të zbatuar siç duhet politikat, me qëllim që të ndihmohen subjektet e tregut të kapërcejnë vështirësitë dhe të thellojnë reformat, për të nxitur gjallërinë e tregut dhe krijueshmërinë publike.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Kryeministri Li i tha këto gjatë një inspektimi në Administratën Shtetërore për Rregullimin e Tregut (SAMR) të hënën. Ai kryesoi gjithashtu një simpozium po atë ditë.

Në një qendër analizash të të dhënave të SAMR-it, zyrtarët thanë se subjektet e tregut në Kinë janë rritur në numër nga 55 milionë dhjetë vjet më parë në 169 milionë tani, ndërsa më shumë se 110 milionë individë janë të vetëpunësuar. Ndërsa Li Keqiang-u theksoi se subjektet e tregut luajnë rol të rëndësishëm në sigurimin e punësimit dhe mbajtjen e funksionimit të qëndrueshëm të ekonomisë, prandaj zyrtarët duhet të thellojnë reformat dhe të hartojnë politika më preferenciale, për të kultivuar dhe forcuar subjektet e tregut.

Për të bashkërenduar më mirë menaxhimin e COVID-19 me zhvillimin ekonomik e shoqëror, qeveria duhet t'i kushtojë vëmendje rimëkëmbjes së subjekteve të tregut, veçanërisht mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe individëve të vetëpunësuar, të cilët po ndeshen me vështirësi dhe probleme të reja për shkak të ndikimit të COVID-19, tha kreu i qeverisë.

Për të zgjidhur problemet e tyre, ai theksoi përpjekjet për të ruajtur stabilitetin e politikave dhe për të vazhduar zbatimin e paketës së mëparshme të politikave, për të stabilizuar ekonominë, duke përfshirë shkurtimin e taksave dhe tarifave administrative, nxitjen e ndërtimit të projekteve të mëdha të mbështetur nga instrumentet financiare dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë së platformës.

Ai bëri thirrje gjithashtu të reagohet shpejt ndaj shqetësimeve të subjekteve të tregut, të ndihmohen ato mbi problemet lidhur me fuqinë punëtore, fondet e kredive, furnizimin me lëndë të para dhe probleme të tjera, të mbrohen të drejtat e pronës së ndërmarrjeve të ndryshme dhe të rritet besimi i sipërmarrjeve private, për të siguruar rinisjen e shpejtë të punës e të prodhimit pas pushimeve të Festës së Pranverës. (Artan)