Kryediplomati kinez: I ashtuquajturi “kurth borxhi” në Afrikë, kurth retorike
2023-01-12 20:58:56

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang kundërshtoi të mërkurën akuzën e pabazë se Kina po krijon një "kurth borxhi" në Afrikë, duke thënë se i ashtuquajturi "kurth borxhi" është një kurth retorike i imponuar mbi Kinën dhe Afrikën.

 

Qin i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me kryetarin e Komisionit të Bashkimit Afrikan Mousa Faki Mahamat.

 

Kryediplomati kinez vuri në dukje se vendi i tij ka qenë gjithmonë i angazhuar për ta ndihmuar Afrikën të lehtësojë barrën e borxhit dhe është pjesëmarrës aktiv në Nismën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit të Grupit të 20-s (G20). Ai vuri në dukje gjithashtu se Kina ka nënshkruar marrëveshje ose ka arritur konsensus me 19 vende afrikane mbi lehtësimin e borxhit dhe ka pezulluar pagesat më të mëdha të shërbimit të borxhit ndër vendet anëtare të G20-ës.

Duke theksuar se problemi i borxhit të Afrikës është në thelb një çështje zhvillimi, Qin shtoi se zgjidhja e këtij problemi kërkon trajtimin jo vetëm të simptomave, por edhe të shkaqeve themelore, për të forcuar aftësitë e zhvillimit të pavarur dhe të qëndrueshëm të Afrikës.

 

Ai theksoi se i ashtuquajturi "kurth borxhi" është një kurth retorike i imponuar ndaj Kinës dhe Afrikës, duke shtuar se vetëm popujt afrikanë mund të thonë nëse projektet e bashkëpunimit Kinë-Afrikë kontribuojnë në zhvillimin e kontinentit dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve.

 

Kina do të vazhdojë të respektojë vullnetin e popujve afrikanë dhe të sjellë përfitime konkrete për ta nëpërmjet bashkëpunimit me Afrikën bazuar në gjendjen konkrete aty, për të arritur një zhvillim më të madh të përbashkët, theksoi ministri i Jashtëm.

 

Qin u tha gjithashtu gazetarëve se Afrika duhet të jetë një skenë e madhe për bashkëpunimin ndërkombëtar, dhe jo një shesh lufte për rivalitetin ndërmjet fuqive të mëdha.

 

Ai vuri në dukje po ashtu se Afrika është një kontinent në rritje, një fushë pjellore shprese, plot me gjallëri e fuqi, duke shtuar se pa paqe dhe zhvillim në Afrikë, nuk mund të ketë stabilitet e përparim në botë.

 

Duke vënë në dukje se bashkëpunimi kino-afrikan është bazuar në respektin e ndërsjellë, barazinë dhe përfitimet e përbashkëta, Qin theksoi që në shekullin i ri, Kina ka ndërtuar në Afrikë më shumë se 6 000 kilometra hekurudha, 6 000 kilometra rrugë, rreth 20 porte, më shumë se 80 vepra të mëdha energjetike, mbi 130 spitale e klinika, më shumë se 170 shkolla, 45 stadiume sportive dhe mbi 500 projekte bujqësore.

 

I pyetur nga një reporter rreth pikëpamjeve të Kinës për Samitin e 2-të ShBA-Afrikë, kreu i diplomacisë kineze u përgjigj se Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë të dyja vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kanë përgjegjësi të madhe për paqen, sigurinë dhe zhvillimin botëror.

 

Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk duhet të jenë konkurruese apo një lojë ku fituesi i merr të tëra, theksoi ai.

 

Qin u bëri thirrje të dy vendeve të respektojnë parimin e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta dhe të mos dëmtojnë interesat e palëve të treta. "Kjo është në përputhje me prirjen e kohës dhe përmbush shpresat e bashkësisë ndërkombëtare," u shpreh ministri.