Kina publikon masat për të zgjeruar përdorimin ndërkufitar të RMB-së
2023-01-11 21:15:24

Autoritetet kineze publikuan masa të ndryshme për të mbështetur zgjerimin e përdorimit ndërkufitar të monedhës së vendit renminbi (RMB) nga kompanitë e përfshira në tregtinë e jashtme dhe shkëmbimet ekonomike.

Foto:VCG

Foto:VCG

Masat synojnë lehtësimin e mëtejshëm të përdorimit të RMB-së në tregtinë dhe investimet ndërkufitare, për të përmbushur më mirë nevojat e kompanive të tregtisë së jashtme në lidhje me transaksionet dhe pagesat, investimet e financimin, si edhe menaxhimin e rrezikut, sipas një qarkoreje të përbashkët nga Ministria e Tregtisë dhe Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze.

Në dokument bëhet thirrje për përpjekje për të lehtësuar vendosjen e çmimeve dhe pagesat në RMB në të gjitha llojet e tregtisë dhe investimeve ndërkufitare, duke u kërkuar bankave të ofrojnë shërbime më të përshtatshme dhe efikase të pagesave.

Bankat inkurajohen gjithashtu të japin kredi jashtë vendit në RMB dhe të krijojnë aktivisht produkte dhe shërbime të reja.

Në qarkore gjithashtu vihet në dukje rëndësia e hapjes së platformave elektronike për nxitjen e përdorimit ndërkufitar të RMB-së, duke përfshirë zonat pilot të tregtisë së lirë, Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it dhe zonat e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar jashtë vendit.(Zhang Yan/Artan)