Dialogu mbi çajrat e zinj më të mirë në botë mbahet në Kinën Lindore
2023-01-11 16:30:24

Një dialog mbi tre çajrat e zinj më të mirë në botë nisi të hënën në qarkun Qimen, në provincën Anhui të Kinës Lindore, duke synuar të promovojë shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin midis industrive të çajit të Kinës, Indisë dhe Sri Lankës, bën të ditur “Xinhua”.

Çaji i zi Keemun nga Kina, Darjeeling nga India dhe Ceylon nga Sri Lanka janë të famshëm si tre çajrat e zinj me aromë më të mirë në botë.

Më shumë se 100 të ftuar dhe përfaqësues të çajit nga të tre vendet janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje, për të diskutuar mbi zhvillimin dhe bashkëpunimin e çajit të zi.

“Siç jemi duke identifikuar aktualisht, çaji po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare, bashkëpunimin teknik dhe shkëmbimin kulturor. Çaji Ceylon nga Sri Lanka është shumë i famshëm për aromën dhe shijen e tij. Jam i kënaqur që marr pjesë në këtë ngjarje për të forcuar më tej marrëdhëniet tona midis këtyre dy vendeve”,- tha Sylvester Perera, këshilltar i Ambasadës së Republikës Socialiste Demokratike të Sri Lankës në Kinë.

Çaji i zi Keemun është një nga çajrat më të famshëm kinezë me një aromë intensive dhe ka një histori më shumë se 100 -vjeçare.

Sipas statistikave lokale, plantacionet e çajit aktualisht mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 12.600 hektarësh në Qimen, duke prodhuar një vlerë të përgjithshme prej 5.52 miliardë juanë (rreth 808.6 milionë dollarë amerikanë) në vitin 2022. Një total prej 7300 tonë çaj u prodhuan në qark vitin e kaluar .

“Shpresoj se ky aktivitet do të ndihmojë në promovimin e kulturës kineze të çajit dhe do të injektojë vitalitet të ri në trashëgiminë e lashtë kulturore jomateriale të prodhimit të çajit”,- tha Wang Qing, president i Shoqatës së Marketingut të Çajit në Kinë.

Në nëntor 2022, prodhimi tradicional i çajit në Kinë u shtua në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.  (Elona)