Ministrja: Kina do t'i japë përparësi punësimit sivjet
2023-01-10 20:22:42

Foto: VCG

Kina do t'i japë përparësi punësimit në vitin 2023, duke përdorur masa fiskale dhe monetare, tha Wang Xiaoping, ministre e Burimeve Njerëzore dhe e Sigurimeve Shoqërore në një intervistë për “Xinhua”-në.

Më shumë mbështetje do t'i jepet sektorit të shërbimeve, ndërmarrjeve të vogla e mikrondërmarrjeve dhe individëve të vetëpunësuar për të rritur mundësitë e punësimit, vuri në dukje ajo.

Në Kinë u krijuan 12 milionë vende pune në zonat urbane vitin e kaluar, duke tejkaluar objektivin vjetor, dhe situata e përgjithshme e punësimit do të mbetet e qëndrueshme në vitin 2023, ndërsa ekonomia vazhdon të rimëkëmbet, tha Wang.

Konsumi i brendshëm në Kinë do të rimëkëmbet ndjeshëm me lehtësimin e masave parandaluese të COVID-19, tha në një intervistë për CGTN-in Wang Tao, kryeekonomiste e degës për Kinën në Bankën e Investimeve UBS.

Rimëkëmbja ekonomike do të forcojë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si edhe do të ngrejë nivelet e punësimit dhe të të ardhurave, shtoi ajo.

Ndërkohë, Wang Xiaoping pranoi presionin dhe sfidat për sigurimin e punësimit, duke shtuar se "do të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur stabilitetin e përgjithshëm të punësimit".

Ministrja theksoi punën për të ndihmuar të sapodiplomuarit në universitete të gjejnë punë si "një përparësi kryesore", teksa 11.58 milionë studentë pritet të diplomohen këtë vit.

Për t’u përballur me sfidat, do të ofrohen subvencione për të inkurajuar kompanitë të krijojnë vende pune, tha Wang.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se do të bëhen përpjekje për të stabilizuar rekrutimin në sektorin publik, për të përmirësuar shërbimet e trajnimet dhe për të ofruar ndihmë të personalizuar për të diplomuarit që kanë vështirësi në gjetjen e punës. (Çang Çuo)