Raporti: Turizmi i borës dhe akullit në Kinë pret mbi 520 milionë turistë deri në vitin 2025
2023-01-09 16:48:40

Foto: VCG

Deri në fund të sezonit 2024-2025, sektori i turizmit në akull dhe borë në Kinë pritet të ketë mbi 520 milionë vizitorë, me të ardhurat që pritet të kalojnë 720 miliardë juanë (rreth 104.5 miliardë dollarë amerikanë), duke e bërë këtë sektor një motor kryesor zhvillimi për turizmin dimëror dhe ekonominë e akullit dhe borës, shkruan “Xinhua”.

Të dhënat u publikuan nga Akademia e Turizmit në Kinë në raportin vjetor mbi zhvillimin e turizmit të akullit dhe dëborës në vend.

Sipas raportit, Kina pati 344 milionë turistë në këtë sektor gjatë sezonit të akullit dhe borës 2021-2022, me 474 miliardë juanë. Sektori aktualisht ka pasur një vrull pozitiv rritjeje.

Falë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, inovacioneve të politikave dhe promovimit nga qeveritë në të gjitha nivelet, turizmi i akullit dhe dëborës ka injektuar vitalitet në zakonet tradicionale popullore në të gjithë vendin, duke i bërë opsionet turistike dhe skenarët e konsumit të sektorit shumë më të larmishëm, deklaroi Dai Bin, president i Akademisë së Turizmit në Kinë.

Nga viti 2016 deri në vitin 2022, Kina investoi rreth 2.88 trilionë juanë në projektet e saj të infrastrukturës për turizmin e akullit dhe dëborës. Deri në fund të vitit 2022, rreth 9000 ndërmarrje përkatëse ishin regjistruar në këtë sektor. Vetëm në vitin 2022, u shtuan rishtazi 1460 ndërmarrje, me një rritje prej 20.1 për qind në baza vjetore, thuhet në raport.

“Numri i turistëve të akullit dhe dëborës në Kinë pritet të kalojë 300 milionë në sezonin 2022-2023”,- deklaroi Han Yuanjun, anëtar i akademisë. (Elona)