Kina hyn në fazën e re të përgjigjes ndaj COVID-19
2023-01-09 11:47:21

Kina filloi zyrtarisht ta menaxhojë COVID-19 si një sëmundje infektive të kategorisë B më 8 janar, tha Mi Feng, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në një konferencë shtypi në Pekin.

Kina e publikoi udhëzuesin e vet të trajtimit të COVID-19 të premten dhe versionin e dhjetë të udhëzuesit mbi menaxhimin e COVID-19 të shtunën, çka shënuar ndryshimin nga parandalimi i infeksioneve në parandalimin e sëmundjeve të rënda.

Mi tha se masat e kontrollit për zonat dhe personelin në rrezik do të kalojnë gjithashtu nga karantina në vizitën në spitale.

Zbatimi i menaxhimit të kategorisë B të COVID-19 thekson parandalimin dhe kontrollin më të saktë e të efektshëm të epidemisë dhe bashkërendon më mirë parandalimin e kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, vuri në dukje ai.

Shumë njerëz në Kinë janë të shqetësuar për variantet dhe nënvariantet e reja të koronavirusit, veçanërisht XBB dhe XBB 1.5, që mund të shmangin të ashtuquajturën mbikëqyrje imune dhe të shkaktojnë më shumë infeksione. Megjithatë, Chen Cao, studiues në Institutin Kombëtar për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Virale pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, tha se variantet XBB nuk do të përhapen masivisht në Kinë tani për tani.

"Kemi shqyrtuar raportet dhe studimet e fundit rreth varianteve XBB. Nuk kemi parë raste më të rënda apo vdekje. Kjo do të thotë që virulenca e varianteve XBB nuk është rritur," u shpreh Chen.

Foto: VCG

Ndërkohë, një tjetër ekspert i nxiti të moshuarit të shqyrtojnë mundësinë e bërjes së një doze të dytë përforcuese të vaksinës.

"Ne shpresojmë se një tjetër dozë përforcuese mund të shmangë rastet e rënda të COVID-19 te grupet me rrezik të lartë. Doza e dytë përforcuese duhet të merret së paku gjashtë muaj pas së parës," vuri në dukje Wang Huaqing, kryeekspert i programit të imunizimit në Qendrën e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC).

Ndërsa Kina po heq shumë masa të kontrollit të COVID-19, potenciali për menaxhim agresiv nuk mund të përjashtohet plotësisht në qoftë se lind nevoja.

"Masa urgjente mund të merren në qoftë se përhapet ndonjë sëmundje ngjitëse," u shpreh Lei Zhenglong, drejtor i Zyrës së Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë. "Kjo është në përputhje me ligjin."

Lei tha se masat e mundshme emergjente përfshijnë shtyrjen e veprimtarive të mëdha, ndalimin e hyrjes në zonat e argëtimit dhe punën e përkohshme nga shtëpia. (Artan)