Më shumë shpendë uji dimërojnë në liqenin më të madh me ujë të kripur në Kinë
2023-01-06 16:08:10

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Numri i shpendëve ujorë dimërues në liqenin Qinghai, liqeni më i madh me ujë të kripur në Kinë, u rrit 3.5 herë në mbi 11.100 gjatë këtij dimri, sipas administratës kombëtare të rezervave natyrore të liqenit, citon “Xinhua”.

Të dhënat e monitorimit janë mbledhur nga administrata gjatë patrullimit të saj dimëror.

Të dhënat tregojnë se numri i mjellmave nën mbrojtje kombëtare të klasit të dytë arriti në mbi 600 këtë dimër, një rritje prej 2 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa numri i rosave të kuqërremta u rrit 3.9 herë në më shumë se 10.500, prej habitatit mikpritës.

Nëpunës të administratës bëjnë të ditur se gjatë monitorimit ndër vite numri i kafshëve dhe specieve të egra po rritet dhe habitatet e tyre vazhdojnë të përmirësohen. Sipas tyre, numri në rritje i shpendëve të ujit tregon se funksioni i ligatinave në Pellgun e liqenit Qinghai po përmirësohet.

Vitet e fundit, qeveria vendore ka bërë përpjekje për të krijuar një sistem monitorimi që mbulon të gjithë liqenin, për të forcuar mbrojtjen ekologjike dhe për të rritur ndërgjegjësimin ekologjik dhe mjedisor të fermerëve dhe blegtorëve vendas.

Liqeni, që ndodhet në provincën Qinghai të Kinës veriperëndimore, është një pikë kryesore tranziti për zogjtë shtegtarë nga Azia Qendrore në Indi dhe Azia Lindore në Australi. Ai shërben gjithashtu si një shtëpi e rëndësishme dimërore për zogjtë e ujit në Rrafshnaltën Qinghai-Tibet. (Irma)