Optimizimi i reagimit ndaj COVID përshpejton rimëkëmbjen e industrisë kineze
2023-01-05 19:59:25

foto: VCG

foto: VCG

Fabrikat anembanë Kinës kanë rinisur punën pas optimizimit të fundit të reagimit ndaj COVID-19 dhe publikimit të një sërë masash për të përshpejtuar rinisjen e prodhimit.

 

Për të bashkërenduar më mirë luftën kundër epidemisë dhe zhvillimin ekonomik, Kina ka optimizuar politikat e saj të përgjigjes ndaj COVID-19. Më 7 dhjetor 2022, politikat e parandalimit dhe kontrollit të virusit u rregulluan me dhjetë masa të reja, duke e zhvendosur fokusin nga parandalimi i infeksionit në parandalimin e rasteve të rënda.

 

Gjithashtu, u njoftua se, duke filluar nga 8 janari i këtij viti, do të ulet niveli i menaxhimit të COVID-19 nga kategoria A në kategorinë B.

 

Rregullimet e sakta dhe të efektshme të politikave kanë nxitur rinisjen e prodhimit industrial, dhe fabrikat në mbarë vendin po përpiqen të kapin kohën e humbur nga kufizimet gjatë epidemisë.

foto: VCG

foto: VCG

 

Përballë kërkesës në rritje për barna dhe furnizime mjekësore, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe departamentet përkatëse kanë ngritur mekanizma bashkëpunimi urgjent me autoritetet vendore dhe kanë hartuar plane të veçanta mjekësore për të ndihmuar ndërmarrjet farmaceutike të zgjerojnë kapacitetet e tyre.

 

Për të ndihmuar ndërmarrjet të funksionojnë me kapacitet të plotë, autoritetet vendore anembanë vendit kanë zbatuar një sërë masash për të rritur prodhimin e materialeve mjekësore, duke përfshirë sigurimin e furnizimit me lëndë të para dhe energji, ngritjen e linjave të reja të prodhimit dhe lehtësimin e logjistikës.

 

Ndërsa Kina përpiqet të shtojë sasinë e materialeve mjekësore kundër COVID-19, kapaciteti ditor i prodhimit të ibuprofenit dhe paracetamolit në vend i ka kaluar 200 milionë hapet, me prodhimin e përditshëm që arrin në 190 milion tableta.

foto: VCG

foto: VCG

Kapaciteti i përditshëm i prodhimit të kutive të testit të antigjenit të COVID-19 është zgjeruar nga rreth 60 milionë në fillim të dhjetorit në rreth 110 milionë dhe kapaciteti i oksimetrave të pulsit që vendosen në gisht është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i dhjetorit, duke arritur mbi 250 000 në fund të dhjetorit.

 

Për të rimëkëmbur veprimtarinë e fabrikave, organet e pushtetit vendor kanë zbatuar masa të ndryshme, duke përkrahur prodhimin industrial.

 

Për shembull, Pekini krijoi një "listë të bardhë" për personelin kryesor të ndërmarrjeve për të siguruar vajtjen e tyre në kohë në punë. Bashkia e Chongqing-ut në Kinën Jugperëndimore hartoi 16 masa për të rritur mbështetjen financiare për industritë kyçe, duke përfshirë inkurajimin e bankave dhe institucioneve financiare për të shtuar kredidhënien për ndërmarrjet, për të mbështetur prodhimin e tyre me kapacitet të plotë.

 

Rritja e kërkesës në sektorin e logjistikës dhe transportit pasqyron gjithashtu rimëkëmbjen e shpejtë të sektorit industrial të Kinës. Të dhënat nga ofruesi i shërbimeve të dërgimit me porosi “Lalamove”, i njohur gjithashtu si “Huolala”, treguan se nga 7 më 25 dhjetor, porositë për transportin e mallrave në dy nga tregjet më të  mëdha me shumicë të Pekinit u rritën përkatësisht 50 dhe 21 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të nëntorit.

 

Gjatë vitit të kaluar, sektori industrial ka vazhduar të shërbejë si themel i ekonomisë kineze. Në 11 muajt e parë të vjetshëm, prodhimi i përgjithshëm i ndërmarrjeve të mëdha industriale u rrit 3.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, me një shtim prej 8 për qind të prodhimit të teknologjisë së lartë.