Ekspertë dhe studiues të huaj kanë besim për ekonominë kineze
2023-01-05 19:44:18

Politikat e optimizuara të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë të Kinës po japin rezultate gradualisht, duke nxitur vitalitetin e rritjes ekonomike të Kinës. Kohët e fundit organizatat ndërkombëtare i kanë ngritur ndjeshëm parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Kinës. Ekspertë dhe studiues nga shumë vende kanë shprehur gjithashtu besim për prirjen e ardhshme të zhvillimit të ekonomisë kineze.

“Goldman Sachs” e ngriti parashikimin e vet për rritjen ekonomike të Kinës në vitin 2023 nga 4.5% në 5.2% dhe beson se sektori i konsumit do të bëhet një pikë kryesore e rritjes ekonomike të Kinës në vitin 2023. “Morgan Stanley” parashikon se ekonomia e Kinës do të rritet 5.4 % sivjet.

Uebsajti tregtar polak “trade.gov.pl” raportoi së fundmi se optimizimi dhe rregullimi i politikave të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë të Kinës është një mundësi e madhe për botën dhe për Poloninë dhe do të nxisë rritjen ekonomike botërore. Aktualisht, Shoqata Polake e Prodhuesve të Qumështit dhe Mishit po përgatitet aktivisht për të hyrë në tregun kinez.

Kryetarja e Shoqatës së Miqësisë Poloni-Kinë Agnieszka Wu-Skawińska, tha se Kina ka optimizuar masat e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë dhe ka lehtësuar politikat e hyrjes, gjë që është një lajm i shumëpritur për udhëtarët nga jashtë Kinës. Ajo beson se në të ardhmen Kina, si gjithmonë, do të bëjë çmos për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Drejtorja Ekzekutive e Institutit Shqiptar të Globalizimit, dr. Marsela Musabelliu, mendon: “Jashtë Kinës, realiteti i luftës kundër virusit në territorin kinez, rrallë është pasqyruar me qartësi, arsyeshmëri dhe më rrallë akoma me shpjegime të bazuara në fakte për çfarë me të vërtetë po ndodhte në Kinë. Në radhë të parë duhet thënë se shumica dërrmuese e popullit kinez e kuptoi dhe e mbështeti politikën ‘zero-COVID dinamike’, dhe nga shumë këndvështrime që kanë rëndësi për qytetarët e saj dhe për mbarë botën, politikëbërësit kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.” 

Në të vërtetë, ekonomia e Kinës është rritur me një ritëm relativisht të ngadaltë, veçanërisht kur krahasohet me vitet e mëparshme, por është me performancë më të lartë se pjesa tjetër e botës në të njëjtën kohë, shprehet Musabelliu.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm Enrik Ceko nga ana e tij shprehet se përgjatë periudhës së pandemisë përpjekjet e Kinës kanë ndikuar në minimizimin e dëmeve shëndetësore, ekonomike dhe sociale, që virusi mund të kishte sjellë, duke krijuar mundësinë e studimit, zhvillimit dhe hedhjes në përdorim të medikamenteve dhe vaksinave që përballojnë virusin dhe duke garantuar zhvillimin e rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e zinxhirit global të furnizimit. (Zhan Dian/Artan)