Eksperti shpjegon forcën e veçantë të mjekësisë tradicionale kineze për trajtimin e COVID-19
2023-01-04 17:52:50

Huang Luqi, zëvendësdrejtori i Administratës Kombëtare të Mjekësisë Tradicionale Kineze, duke folur në një konferencë shtypi, 3 janar 2023(Foto:VCG)

Mjekësia tradicionale kineze ka epërsi të veçantë në trajtimin e COVID-19, tha të martën një ekspert i kësaj mjekësie.

Trajtimi me anë të mjekësisë tradicionale kineze mund të pengojë virusin, të lehtësojë simptomat klinike dhe të parandalojë përkeqësimin e rasteve me simptoma të lehta, theksoi Huang Luqi, zëvendësdrejtori i Administratës Kombëtare të Mjekësisë Tradicionale Kineze, në një konferencë shtypi të mbajtur nga mekanizmi i përbashkët i parandalimit dhe kontrollit të COVID-19 i Këshillit të Shtetit.

"Për pacientët që mund të jenë në kushte të rënda, ndërhyrja e hershme e mjekësisë tradicionale kineze mund të ulë normën e kthimit në raste të rënda. Ndërsa për rastet e rënda dhe kritike, trajtimi i integruar i mjekësisë kineze dhe mjekësisë perëndimore mund të pengojë a lehtësojë efektivisht simptomat, gjë që parandalon përkeqësimin e sëmundjes ose ngadalëson përparimin e saj, duke ulur kësisoj vdekshmërinë," tha Huang.

Foto:VCG

Foto:VCG

Eksperti përmendi gjithashtu se përdorimi i duhur i mjekësisë tradicionale kineze për trajtimin në shtëpi mund të lehtësojë trysninë mbi institucionet mjekësore e burimet mjekësore, teksa Kina e ka zhvendosur fokusin e strategjisë së saj të përgjigjes ndaj COVID-19 nga kontrolli i infeksioneve në parandalimin e rasteve të rënda.

"Tani, me ndërthurjen e epidemisë së gripit, të ftohtit dhe COVID-19, pacientët mund të zgjedhin mjekimin e përshtatshëm me mjekësinë tradicionale kineze për trajtimin në shtëpi për të pakësuar rrezikun e mbingarkesës dhe presionin mbi institucionet dhe burimet mjekësore," tha Huang.

Prandaj janë bërë përpjekje për nxjerrjen e udhëzimeve mbi përdorimin e mjekësisë tradicionale kineze për të sëmurët nga COVID-19 që marrin trajtim në shtëpi, për të shtuar klinikat e etheve në spitalet e mjekësisë tradicionale kineze dhe për të siguruar furnizimin e ilaçeve kryesore tradicionale kineze, shtoi ai.

Foto:VCG

Foto:VCG

Mjekësia tradicionale kineze ka luajtur gjithashtu rol në shërim, tha Huang, duke shtuar se shumë pacientë përjetojnë kollë, lodhje, djersitje dhe simptoma të tjera edhe pasi testi i acidit nukleik del negativ. Mjekësia tradicionale kineze mund t'i trajtojë këto simptoma dhe të rregullojë funksionimin e trupit si një i tërë.(Artan)