Borxhi publik zbret në 67.5% të PBB-së këtë vit
2023-01-04 10:24:54

ekonomi- (Foto ATSH)

ekonomi- (Foto ATSH)

Borxhi total publik në vitin 2023 pritet të zbresë në rreth 67.5% të PBB-së, nga rreth 68.8% i pritshëm për këtë vit apo nga rreth 73.2% i rezultuar për vitin 2021.

Borxhi publik aktualisht përbëhet nga borxhi i brendshëm, i cili zë 51.3% të totalit të borxhit, dhe borxhi i jashtëm, i cili zë 48.7% të tij.

Viti 2022 ka qenë një vit atipik për sa i përket borxhit publik dhe huamarrjes së brendshme në veçanti, duke qenë se kushtet e tregut kanë qenë jo të favorshme. Ndërkohë që treguesi i peshës së borxhit të jashtëm ka pësuar një ulje nga ai i fundit të vitit 2021, kur ky tregues vlerësohej në 49.2%.

Edhe viti 2023 pritet të vijojë të paraqesë pasiguri. Plani vjetor i huamarrjes për vitin 2023, i përgatitur me asistencën e Bankës Botërore, synon të ndihmojë aktivitetin e huamarrjes vjetore të ministrisë si dhe të rrisë transparencën kundrejt investitorëve. Qeveria synon uljen e mëtejshme të borxhit në afatmesëm, në linjë edhe me strategjinë  e afatmesme të menaxhimit të borxhit publik, citon “ATSH”.

Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, likuiditeti në llogarinë unike të thesarit (TSA) është rreth 70 miliardë lekë, që konsiderohet i bollshëm, për të vijuar normalisht me ekzekutimin e buxhetit. (Elona)