Kantieret e shëndetësisë në 2023-shin, investimet 3.5 miliardë lekë
2023-01-04 14:32:42

pediatria (Foto ATSH)

pediatria (Foto ATSH)

Investimet në kantierin e shëndetësisë për 2023-shin nuk do të ndalen në të gjithë Shqipërinë, që nga qendrat shëndetësore, spitalet dhe pajisjet bio-mjekësore. Buxheti i vitit 2023 vijon të financojë programin për modernizimin e infrastrukturës të shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor në ato spitalor, me synim rritjen e cilësisë së ofrimit shëndetësor për qytetarët, duke kapur vlerën 3.5 miliardë lekë, bën të ditur “ATSH”.

Këtë vit pritet të përfundojë Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, rehabilitimi i Spitalit Pediatrik në QSUT, faza e dytë. Ndërsa pritet të fillojë projekti i rehabilitimit të Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe atij Psikiatrik në QSUT. Gjithashtu, këtë vit nis dhe rehabilitimi i spitaleve rajonale të Dibrës, Lezhës dhe Spitalit Bashkiak të Krujës.

Pjesë e paketës së investimeve janë edhe rehabilitimi dhe pajisjet për poliklinikat e spitaleve rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit dhe finalizimi i rikonstruksionit për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës.

Me programin e rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave sigurohet rehabilitimi i 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave për vitin 2023. (Elona)