Presidenti kinez takon homologun filipinas
2023-01-04 21:39:49

Pasditen e së mërkurës, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e vet filipinas, Ferdinand Romualdez Marcos, që ndodhet në Pekin për një vizitë zyrtare në Kinë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kreu i shtetit i Kinës i shprehu së pari mirëseardhjen presidentit filipinas. Ai vuri në dukje se Kina dhe Filipinet, si dy vende fqinje, kanë një histori shkëmbimesh mbi 1000-vjeçare dhe trajtimi me sinqeritet dhe dhënia e ndihmës njëri-tjetrit në rast nevoje ka qenë prirja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe. Kina u ka dhënë gjithmonë përparësi Filipineve në diplomacinë e vet me vendet fqinje, duke këmbëngulur në trajtimin e këtyre marrëdhënieve nga një këndvështrim strategjik dhe i gjithanshëm.

Xi Jinping-u theksoi më tej se të dy palët kanë përcaktuar bujqësinë, infrastrukturën, energjetikën dhe shkëmbimet kulturore-njerëzore si katër fushat kryesore të bashkëpunimit, që janë shtyllat mbështetëse të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-filipinas. Sipas tij, Kina është e gatshme t’i ndihmojë Filipinet në zhvillimin e bujqësisë e të zonave rurale, si edhe të nxisë bashkëpunimin në ndërtimin e projekteve infrastrukturore dhe në fushat e telekomunikacionit, të të dhënave të mëdha e të tregtisë elektronike, për të nxitur zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Filipineve. Pala kineze dëshiron të vijojë së bashku me palën filipinase zgjidhjen e problemit të detit nëpërmjet konsultimeve miqësore, duke rinisur bisedimet për shfrytëzimin e burimeve të gazit dhe të naftës në zonat ku nuk ka mosmarrëveshje. Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunimin me Filipinet në fushën e energjive të gjelbra, si ajo fotovoltaike dhe e erës, si edhe të automjeteve me energji të re, si edhe të zgjerojë vazhdimisht importimin e produkteve cilësore bujqësore dhe ujore filipinase, duke zgjeruar edhe bashkëpunimin në fusha si arsimi, trajnimi profesional, meteorologjia, hapësira ajrore, vaksinat etj.

Nga ana e tij, Ferdinand Romualdez Marcos tha se kjo është vizita e tij e parë jashtë ASEAN-it, pas marrjes së postit të presidentit. “Shpresoj që, nëpërmjet kësaj vizite, t’i tregoj botës se marrëdhëniet filipino-kineze janë shumë të mira dhe shumë të rëndësishme. Jam i gatshëm të ruajë kontaktet e ngushta me presidentin Xi për të forcuar bashkëpunimin e gjithanshëm, për të çelur një faqe të re të partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh”, tha kreu i shtetit i Filipineve.

Foto:CMG

Foto:CMG

Sipas tij, pala filipinase dëshiron të shfrytëzojë mundësitë, duke thelluar bashkëpunimin në fushat e bujqësisë, infrastrukturës, energjetikës, shkëmbimeve kulturore-njerëzore, tregtisë, teknologjisë, investimeve, ekonomisë digjitale etj., duke pasuruar më tej përmbajtjen e marrëdhënieve dypalëshe. Kina është partnerja më e fuqishme e Filipineve dhe askush nuk mund të pengojë vijimin dhe zhvillimin e miqësisë dypalëshe, tha Marcosi. Ai theksoi se Filipinet i përmbahen politikës së “Një Kine” dhe dëshirojnë të vijojnë konsultimet miqësore për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi çështjen e Detit të Kinës Jugore, duke rinisur bisedimet me palën kineze për shfrytëzimin e burimeve të gazit dhe naftës. Marcosi e falënderoi Kinën për ndihmën e rëndësishme që i ka dhënë vendit të tij gjatë betejës kundër epidemisë dhe mirëpriti që më shumë shtetas kinezë të bëjnë turizëm ose të studiojnë në vendin e tij për të shtuar shkëmbimet midis dy popujve. “Kam besim të plotë për të ardhmen e zhvillimit të marrëdhënieve Filipine-Kinë”, tha presidenti filipinas.

Pas bisedimeve, krerët e dy vendeve dëshmuan nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme.(Zhang Yan/Artan)