Sonda hënore e Kinës “Chang'e-4” kremton 4-vjetorin e zbritjes
2023-01-04 21:06:18

Sonda e parë hënore në botë që zbriti në anën e pasme të Hënës, “Chang'e-4” e Kinës, sapo kremtoi përvjetorin e saj të katërt të zbritjes në kraterin “Von Karman” më 3 janar 2019.

Ana e errët e Hënës nuk shihet kurrë nga Toka për shkak të një dukurie të quajtur “bllokimi i baticës”. Por “Chang’e-4” dërgoi fotografinë e parë nga afër në botë të anës së pasme të Hënës nëpërmjet satelitit stafetor “Queqiao”, i cili po funksionon në orbitën e brerores rreth pikës së dytë lagrangiane (L2) të sistemit Tokë-Hënë.

“Chang'e-4” bën fotografinë e parë nga afër në botë të anës së pasme të Hënës, 3 janar 2019. /CNSA

Roveri që udhëtoi së bashku me sondën “Chang'e”, “Yutu-2”, ka ecur 1 445 metra në anën e pasme të Hënës.

Roveri, i projektuar për vetëm tre muaj shërbim, ka funksionuar përtej gjendjes së vet normale dhe ka përshkruar peizazhin unik dhe të pashkelur të satelitit të vetëm natyror të Tokës.

Roveri ka gjithashtu shumë pajisje gjurmimi, duke përfshirë një kamerë panoramike, një radar depërtimi hënor, një spektrometër imazhesh infra të kuqe dhe një gjurmues atomi asnjanës të prodhuar në bashkëpunim me palën suedeze për të studiuar topografinë, përbërjen minerare dhe strukturën e cekët të sipërfaqes së Hënës.

Sonda hënore “Chang'e-4” (majtas) e kapur nga kamera panoramike në roverin “Yutu-2” dhe “Yutu-2” (djathtas) i kapur nga një kamerë peizazhi e instaluar në “Chang'e-4”, 11 janar 2019. /CNSA

Kina është tashmë në procesin inxhinierik të fazës së katërt të programit të saj të eksplorimit të Hënës.

Gjatë zbatimit të fazës së katërt të programit hënor, që ka nisur vitin e kaluar, do të kryhet eksplorimi shkencor në polin jugor të Hënës për të ndërtuar një strukturë bazë për Stacionin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore para fundit të vitit 2035.

Sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës, objektivat kryesorë të tre misioneve të ardhshme hënore që do të kryhen para vitit 2030 janë:

· “Chang'e-6” do të eksplorojë dhe do të marrë mostra nga rajoni me vlerë të lartë i Hënës.

Foto:VCG

Foto:VCG

· “Chang'e-7” do të shkojë në rajonin polar të Hënës dhe do të kërkojë për praninë e ujit.

· “Chang'e-8” do të punojë së bashku me “Chang'e-7” me një fokus kryesor në verifikimin e teknologjive për studimin shkencor afatgjatë të Hënës.(Zhang Yan/Artan)