Panairi Ndërkombëtar i Industrive Kulturore përfundon në Shenzhen
2023-01-04 14:17:20

Panairi i 18-të Ndërkombëtar i Industrive Kulturore të Kinës përfundoi të hënën në Shenzhen, në provincën Guangdong të Kinës jugore.

Më shumë se 100.000 pjesë kulturore u ekspozuan dhe më shumë se 4000 projekte investimi dhe financimi të industrisë kulturore u ekspozuan dhe tregtuan, bën të ditur “Xinhua”. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në vendin kryesor të panairit dhe aktivitetet e lidhura me të i kaloi 2 milionë.

Panairi i këtij viti, i cili filloi më 28 dhjetor, u zhvillua në Qendrën Botërore të Ekspozitave dhe Konventave në Shenzhen, me gjashtë salla ekspozitash që mbulonin një sipërfaqe prej 120.000 metrash katrorë.


Në panair u mbajt edhe një ekspozitë e veçantë “Kina kulturore”. Panairi u fokusua në shfaqjen e arritjeve të Kinës në zhvillimin kulturor, risitë dhe dizajnet kreative.

Pavijoni ndërkombëtar i ngritur në platformën online shfaqi produkte kulturore ndërkombëtare dhe projekte të industrisë kulturore në internet për të demonstruar arritjet e integrimit, inovacionit dhe zhvillimit të kulturave kineze dhe të huaja.

Gjithsej 300 institucione dhe ndërmarrje kulturore nga 30 vende dhe rajone morën pjesë në ekspozitë, si dhe shumë institucione dhe ndërmarrje kulturore të huaja në Kinë për të shfaqur turizmin kulturor, edukimin, artin, krijimtarinë kulturore dhe projekte të tjera të ngjashme.

Zyra e komitetit organizativ të panairit njoftoi se numri i vizitorëve dhe shkalla e ndërkombëtarizimit të këtij panairi kanë ardhur duke u rritur, gjë që ka një ndikim pozitiv në stimulimin e vitalitetit të inovacionit dhe krijimit kulturor, duke nxitur edhe zhvillimin cilësor të industrisë kulturore. (Elona)