Komisioni i Shëndetësisë: Kina ndan sinqerisht masat e kontrollit të COVID-19
2023-01-03 21:13:37

Foto: Visual People

Kina thekson qëndrimin e saj të hapur dhe transparent për ndarjen e informacionit lidhur me COVID-19 dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, theksoi Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës të martën në një konferencë shtypi.

Mi Feng, zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, tha se Kina ka mbajtur shkëmbime dhe bashkëpunim pragmatik me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe vende e rajone të tjera të botës.

Sipas tij, Kina ka zhvilluar dy takime shkëmbimesh teknike me OBSh-në që kur ka optimizuar masat e saj të kontrollit të COVID-19, një më 9 dhjetor dhe i dyti më 30 dhjetor 2022. Ekspertët shkëmbyen pikëpamje të thelluara për statusin e zhvillimit të pandemisë, trajtimin mjekësor, vaksinimin dhe çështje të tjera teknike.

Kina ka zhvilluar më shumë se 60 takime për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 gjatë tre vjetëve të fundit, me tema si trajtimi mjekësor, studimi dhe prodhimi i vaksinave dhe gjurmimi i viruseve, tha Mi.

"Kina ka ndarë përvojën e saj mbi masat e parandalimit dhe kontrollit të COVID-19 pa rezerva," shtoi ai.

Kina po promovon gjithashtu trajtimin e vet të COVID-19 nëpërmjet integrimit të mjekësisë tradicionale kineze dhe mjekësisë perëndimore.

"Bazuar në përvojën trevjeçare, kemi hartuar një plan unik për të trajtuar COVID-19 duke kombinuar përdorimin e mjekësisë perëndimore dhe mjekësisë tradicionale kinez," tha Huang Luqi, nënkryetari i Administratës Kombëtare të Mjekësisë Tradicionale Kineze.

Ai vuri në dukje se trajtimi i mjekësisë tradicionale kineze mund të përshpejtojë shërimin për të sëmurët me simptoma të lehta, ndërsa parandalon që simptomat e rënda të përkeqësohen, duke ulur kështu shkallën e vdekshmërisë. (Çang Çuo)