Qin Gang i jep lamtumirën popullit amerikan, do të vijojë përkrahjen për marrëdhëniet Kinë-ShBA
2023-01-03 20:29:25

Foto: VCG

Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Qin Gang, u dha lamtumirën njerëzve nga sektorë të ndryshëm në Shtetet e Bashkuara dhe u zotua për vazhdimin e mbështetjes për marrëdhëniet ndërmjet Kinës e ShBA-së.

Disa ditë më parë Qin u emërua ministër i ri i jashtëm i Kinës.

Në një varg postimesh në “Twitter”, Qin kujtoi se ai erdhi në Uashington në vitin 2021 "në një kohë sfidash të vështira për marrëdhëniet Kinë-ShBA".

“Gjatë mandatit tim këtu, kam punuar për të zbatuar konsensusin e  të dy presidentëve tanë, për të shërbyer si  urë ndërmjet dy vendeve dhe për të eksploruar mënyrën e duhur për të pasur marrëdhënie të mira ndërmjet Kinës e ShBA-së në epokën e re”, tha ai.

Qin u shpreh më tej se gjatë mbi 500 ditëve ai kishte vizituar 22 shtete të ShBA-së, kishte shkuar në agjenci qeveritare, Kongres, institute kërkimore, ndërmarrje, fabrika, porte, ferma, shkolla e fusha sportive dhe kishte bërë shumë miq në të gjithë vendin.

“Më kanë bërë shumë përshtypje kaq shumë amerikanë punëtorë, miqësorë dhe të talentuar që kam takuar”, theksoi ai.

Qin falënderoi gjithashtu popullin amerikan për "mbështetjen dhe ndihmën e fortë" të dhënë atij dhe ambasadës kineze gjatë qëndrimit të tij në ShBA, që filloi në korrik 2021.

56-vjeçari u zotua se do të vijojë të mbështesë zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe ShBA-së.

“Në të ardhmen do të vazhdoj të kujdesem dhe të mbështes zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA, do të inkurajoj dialogun, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe afrinë mes të dy popujve, do të punoj për respekt të ndërsjellë, bashkëjetesë paqësore e bashkëpunim me përfitime të ndërsjella ndërmjet dy vendeve tona dhe do të bëj përpjekjet e mia të duhura për mirëqenien e të dy popujve dhe për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin botëror,” tha ai. (Çang Çuo)