Pekin, rikthehet gjallëria pas optimizimit të masave për COVID-19
2023-01-02 20:06:31

Një qendër tregtare e zbukuruar për të mirëpritur Vitin e Ri në rajonin Fengtai të Pekinit, 10 dhjetor 2022. / CFP

Një qendër tregtare e zbukuruar për të mirëpritur Vitin e Ri në rajonin Fengtai të Pekinit, 10 dhjetor 2022. / CFP

Me optimizimin e masave të kontrollit të COVID-19, në kryeqytetin kinez Pekin është kthyer gjallëria.

Në ditën e Vitit të Ri, njerëzit të veshur në rroba festive kremtuan në disa zona të njohura tregtare në Pekin, si Guomao, Xidan, Sanlitun dhe Wukesong.

“Jemi shumë të zënë këto ditë dhe pranojmë vetëm klientë që kanë bërë rezervime," tha një punonjëse në një sallon bukurie në Xidan, duke shtuar se ata u shërbejnë mesatarisht pothuajse 100 klientëve në ditë.

Radhë të gjata ka pasur edhe në shumë mjedise të jashtme, si parku “Taoranting”, ku familjet u mblodhën të enjten e kaluar për të bërë patinazh në akull e rrëshqitje me slitë, si edhe veprimtari të tjera zbavitëse.

Vizitorët marrin pjesë në sporte të ndryshme dimërore në parkun “Taoranting” të Pekinit, Kinë, 31 dhjetor 2022. / CFP

Vizitorët marrin pjesë në sporte të ndryshme dimërore në parkun “Taoranting” të Pekinit, Kinë, 31 dhjetor 2022. / CFP

Edhe veprimtaria e prodhimit dhe e biznesit ka ardhur duke u forcuar.

Prodhimi në fabrikën e dytë të degës në Kinë të SMC-së, plotësisht në pronësi të kompanisë japoneze të prodhimit të përbërësve pneumatikë “SMC Corporation”, ka nisur plotësisht.

"Të ardhurat operacionale të degës së SMC-së në Kinë parashikohet që janë rritur me më shumë se 10 për qind në vitin 2022, falë zgjerimit të fundit të kapacitetit të prodhimit," shprehet Ma Qinghai, menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë së Menaxhimit të Investimeve SMC të Kinës.

Li Xiaorong, zëvendësmenaxher i një farmacie në distriktin Chaoyang të Pekinit, ka qenë gjithashtu i zënë këto ditë. "Ne kemi rritur furnizimin me barna dhe pajisjeve mjekësore të ndryshme. Furnizimi ynë është i mjaftueshëm," tregon Li.

Platforma e shitjes me pakicë “Meituan”, një kompani kryesore në sektorin e konsumit të Kinës, ka njoftuar se porositë në internet për ushqime në Pekin nga 19 më 26 dhjetor u shtuan me 218 për qind krahasuar me javën e mëparshme, ndërsa rezervimet për Resortin “Universal Studios” të Pekinit u rritën me 120 për qind po gjatë së njëjtës periudhë.

Punonjës të postës së shpejtë në një pikë dërgimi ushqimesh në distriktin Dongcheng të Pekinit, 17 dhjetor 2022. / CFP

Punonjës të postës së shpejtë në një pikë dërgimi ushqimesh në distriktin Dongcheng të Pekinit, 17 dhjetor 2022. / CFP

Edhe transporti e logjistika janë mëkëmbur.

Linjat e metrosë janë mbushur me udhëtarë dhe kulmi i lëvizjes i mëngjesit në ditët e punës është kthyer në normë, sipas Korporatës MTR të Pekinit.

Kërkesa për udhëtime ajrore gjithashtu është shtuar. Numri e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kryeqytetit të Pekinit dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Daxing” të Pekinit ka pasur një prirje rritjeje, sipas degës rajonale të Kinës të Veriut të Administratës së Aviacionit Civil të Kinës (CAAC).

CAAC-i vlerëson se numri i fluturimeve të përditshme në të dy aeroportet së shpejti do të arrijë në 70 për qind të niveleve të vitit 2019.

Përveç kësaj, tregtia elektronike e të gjitha llojeve të ushqimit, barnave dhe pajisjeve elektroshtëpiake vazhdon të shtohet. Dega e Pekinit e kompanisë së postës së shpejtë “SF Express” tha se gati 400 pikat e saj në Pekin kanë qenë në funksionim të plotë.

Vizitorët në Resortin “Universal Studios” të Pekinit gjatë pushimeve të Vitit të Ri, 1 janar 2023. / CFP

Vizitorët në Resortin “Universal Studios” të Pekinit gjatë pushimeve të Vitit të Ri, 1 janar 2023. / CFP

Që nga 8 janari, Kina do të ulë menaxhimin e COVID-19 nga kategoria A në kategorinë B sipas ligjit të vendit mbi parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive.

Pas rregullimit, përpjekjet e parandalimit dhe kontrollit të COVID-19 të Kinës do të përqendrohen në përmirësimin e shëndetit të njerëzve dhe parandalimin e rasteve të rënda. Do të shpallen masa për të mbrojtur sa më shumë jetën e shëndetin e njerëzve dhe për të minimizuar ndikimin e epidemisë mbi zhvillimin ekonomik dhe jetën shoqërore.

"Kjo lëvizje synon t’i bëjë më të funksionueshëm parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe të ndërthurë më mirë punën anti-epidemike me zhvillimin ekonomik e shoqëror," thotë Yin Wenwu nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Kinës. (Artan)