Kinë, rritja e numrit të udhëtarëve pasqyron përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike
2023-01-02 12:56:38

Foto: VCG

Gjallëria në Kinë po rikthehet si në periudhën para pandemisë, ndërsa politika e përshtatur së fundmi e reagimit ndaj COVID-19 ka promovuar rifillimin e punës dhe prodhimit, duke nxitur rritjen e numrit të udhëtarëve.

Më shumë se 5.5 milionë veta udhëtuan me hekurudhat kombëtare në 6 368 trena udhëtarësh të shtunën, treguan të dhënat nga Drejtoria Hekurudhore e Kinës.

Zbutja e kufizimeve ndaj COVID-19 ka nxitur turizmin në Kinë. Agjencia kineze e udhëtimeve në internet “Trip.com” raportoi një rritje prej 177 për qind të rezervimit të biletave për pikat turistike në Pekin nga 19 deri më 23 dhjetor krahasuar me javën paraardhëse.

Biletat e trenit për udhëtimet gjatë Festës së Pranverës në Kinë kanë nisur të shiten që nga 24 dhjetori dhe ka pasur kërkesa të larta për to. Numri i kërkimeve për bileta treni u rrit me shpejtësi, duke arritur në më shumë se 80 për qind të së njëjtës periudhë të vitit 2019, sipas ofruesit të shërbimeve të udhëtimit në internet “Tongcheng Travel”.

"Kohët e fundit janë shfaqur shenja të përmirësimit në udhëtimet publike," tha Dong Zhongyun, kryeekonomist në kompaninë “AVIC Securities” të Kinës. "Ndërsa njerëzit po udhëtojnë më shumë dhe shërbimet e transportit e të fluturimeve po gjallërohen, rimëkëmbja ekonomike e vendit pritet të përshpejtohet."

Udhëtimet dhe veprimtaritë e tjera pritet të mëkëmben në nivelet para shpërthimit të variantit “Omicron” në mars, vuri në dukje kryeekonomisti i degës së Kinës i “Morgan Stanley” Robin Xing.

Me themele më të mira dhe më shumë epërsi që mbështesin rritjen, Kina ka besim se do të arrijë rimëkëmbjen e përgjithshme dhe përmirësimin e rezultateve ekonomike të saj në vitin 2023, tha zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, Zhao Chenxin. (Çang Çuo)