Ekspertët e huaj: Mesazhi i Xi Jinping-ut për Vitin e Ri tregon mençurinë kineze
2023-01-02 14:31:10

Foto: VCG

Ekspertët e huaj shprehen se mesazhi për Vitin e Ri i presidentit kinez Xi Jinping tregon përgjegjësinë e Kinës për paqen e zhvillimin e botës, si edhe mençurinë kineze.

"Fjalimi i tij (i presidentit Xi Jinping) ishte shumë i detajuar, duke përmendur arritjet e Kinës në vitet e fundit. Kina është shfaqur si një fuqi globale dhe është kthyer në një vend që nuk merr parasysh vetëm popullin e vet, po që ka si objektiv njerëzimin në mbarë botën. Pra, Kina po kontribuon për ekonominë globale, për paqen globale dhe për lulëzimin global," u shpreh për CMG-në Zamir Awan, ish-zëvendësdrejtor i Qendrës së Studimeve Kineze të Universitetit Kombëtar të Shkencave dhe Teknologjisë të Pakistanit.

Ekspertë të tjerë vlerësuan lart ekonominë e Kinës dhe theksuan lidhjet e saj të ngushta me pjesën tjetër të botës.

"Ashtu siç përmendi presidenti Xi Jinping në fjalimin e vet të Vitit të Ri, Kina ka luajtur një rol shumë më të madh në ekonominë botërore. Kina ka ndihmuar në zgjerimin e vëllimit ekonomik dhe ka sjellë gjallëri më të madhe, gjë që na ka mundësuar të dalim nga situata e rëndë ekonomike. Në vitet e ardhshme bota do të ketë qartësisht nevojë që ekonomia kineze të jetë motori i zhvillimit të ekonomisë globale," tha Joaquin Ribera, sekretari i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Partisë së Drejtësisë të Argjentinës në një intervistë për CMG-në.

Ndërsa Philippe Monnier, ish-drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik të Zonës së Madhe Gjenevë-Bernë të Zvicrës, u shpreh: “Në 10 vjetët e fundit Kina ka nënshkruar rreth 200 dokumente bashkëpunimi me vendet e tjera në kuadër të nismës ‘Një brez, një rrugë’, të cilat jo vetëm që promovojnë tregtinë e biznesin dypalësh, por nëse njerëzit bëjnë biznes së bashku dhe bisedojnë me njëri-tjetrin, kjo gjithashtu promovon tërthorazi paqen, duke siguruar kontakte të rregullta dhe duke minimizuar konfliktet".

Shkëmbimet ndërmjet Kinës dhe bashkësisë ndërkombëtare nxitin paqen dhe zhvillimin botëror.

"Fjalimi i presidentit Xi Jinping për Vitin e Ri sjell shpresë jo vetëm për popullin kinez, por për botën në tërësi, veçanërisht për ne në Afrikë," tha Fredrick Mutesa, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Miqësisë Zambia-Kinë.

Ndërsa Evandro Menezes de Carvalho, drejtor i Qendrës për Studimet Kinë-Brazil në Fondacionin “Getulio Vargas”, një institucion arsimor dhe institut studimi politikash në Brazil, u shpreh në një intervistë për CMG-në:

"Koncepti i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit është mirëpritur gjerësisht, sepse nxit procesin e globalizmit në bazë të respektimit të situatave të ndryshme dhe dallimeve kulturore të vendeve të ndryshme,  duke hedhur gurët e themelit të mençurisë dhe diplomacisë kineze së bashku me Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale. Sa herë që lind ndonjë konflikt ndërmjet vendeve, ato mund të përfitojnë nga kjo mençuri kineze për të zgjidhur problemet e tyre". (Çang Çuo)