Presidenti Xi Jinping: Kina do të vazhdojë të nxitë paqen dhe zhvillimin e botës
2022-12-31 19:58:59

Presidenti i Kinës Xi Jinping ka mbajtur një fjalim urimi me rastin e Vitit të Ri 2023.


Kreu i shtetit i Kinës bëri në këtë fjalim një përmbledhje të arritjeve të vendit gjatë vitit që po mbyllet, si edhe parashtroi në vija të përgjithshme objektivat për vitin e ardhshëm. Sipas tij, në vitin 2022 PBB-ja e vendit pritet t’i kalojë 120 trilionët juanët, ndërsa është siguruar për të 19-tin vit me radhë prodhimi i bollshëm i drithërave. Ndërkohë, në sfondin e epidemisë, është mbrojtur me të gjitha forcat jeta dhe shëndeti i njerëzve.

Presidenti Xi vuri në dukje edhe sukseset në fushën e teknologjisë, veçanërisht asaj hapësinore, të mishëruara nga ndërtimi i stacionit hapësinor kinez që është hapur për të gjitha vendet.

Në planin e jashtëm, ai theksoi se Kina është e lidhur më ngushtë me botën dhe ka thelluar shkëmbimet ndërkombëtare. Duke u shprehur se Kina ka qëndruar me vendosmëri në anën e drejtë të historisë e të përparimit të qytetërimit njerëzor, presidenti shtoi se edhe në vitin 2023 Kina do të vazhdojë një faktor i rëndësishëm për paqen dhe zhvillimin në botë, duke dhënë ndihmesë për zgjidhjen e çështjeve që shqetësojnë njerëzimin.

Kina ka ndjekur një strategji proaktive të hapjes së mëtejshme në vitin 2022 për të sjellë rimëkëmbjen ekonomike globale.

Në vitin 2022, rreth 8 000 makina dhe 400 ekskavatorë u eksportuan çdo ditë nga Kina. Në 11 muajt e parë, eksporti i makinave elektrike dhe baterive të litiumit u rrit përkatësisht me 128 dhe 86.6 për qind.

Në vitin 2022, kapitali i huaj ka hyrë në tregun e Kinës me një ritëm të përshpejtuar, me një mesatare prej 1.5 projektesh të mëdha me investime të huaja në ditë, dhe ritmi i rritjes së thithjes së kapitalit të huaj në industrinë e prodhimit të teknologjisë së lartë ka mbetur mbi 30 për qind.

Sot, Kina është një partnere kryesore tregtare e më shumë se 140 vendeve e rajoneve, dhe investimet e saj të huaja dhe thithja e kapitalit të huaj renditen ndër të parat në botë. Ajo ka nënshkruar më shumë se 200 dokumente bashkëpunimi me 150 vende e 32 organizata ndërkombëtare për nismën “Një brez, një rrugë”. Në vitin 2022, numri i trenave midis Kinës dhe Evropës ka arritur rekord historik. Nga janari deri në nëntor, ka pasur më shumë se 15 000 trena mallrash Kinë-Evropë, që tejkalojnë totalin e vitit të kaluar. 82 linja hekurudhore arritën në 204 qytete të 24 vendeve evropiane, duke ruajtur në mënyrë efektive stabilitetin e zinxhirit global të industrisë e furnizimit.

Sipas “Raportit botëror të hapjes për vitin 2022”, indeksi i hapjes së Kinës u rrit me 5.6 për qind dhe Kina është bërë një forcë e rëndësishme për të promovuar globalizimin ekonomik.

Ndërkohë, Kina njoftoi se stacioni i saj hapësinor, i cili do të përurohet së shpejti, do të jetë i hapur për të gjitha vendet anëtare të OKB-së, për të ndërtuar një “shtëpi hapësinore” për të gjithë njerëzimin. Në qershor 2019, Kina publikoi grupin e parë të nëntë projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar të zgjedhura bashkërisht, duke përfshirë 17 vende, në fusha si mjekësia hapësinore, shkencat e jetës, bioteknologjia dhe teknologji të tjera.

Gjithashtu, Kina, e cila mban presidencën e Konferencës së Palëve të Konventës së OKB-së për Diversitetin Biologjik (COP15), ka luajtur një rol udhëheqës në koordinimin e të gjitha palëve dhe përparimin e procesit të kësaj konference në momente kritike, përpara miratimit të Kornizës së Biodiversitetit Global Kunming-Montreal më 19 dhjetor pas negociatave dyjavore.