MJK: Optimizimi nga Kina i masave kundër pandemisë, në kohë dhe i nevojshëm
2022-12-29 21:00:38

Foto: VCG

Foto: VCG

Disa media perëndimore kanë thënë se ndryshimi i masave për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë tregon se Kina ka ndryshuar konceptin e përballimit të epidemisë dhe nuk i kushton më rëndësi sigurisë së jetës së njerëzve. Lidhur me këto thënie, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të enjten në një konferencë shtypi se ato janë plotësisht kundër fakteve e shkencës dhe bëhen me qëllim përbaltjeje. 

Zëdhënësi vuri në dukje se, pas shpërthimit të pandemisë, Kina gjithmonë i ka vendosur popullin e jetën në radhë të parë dhe ka bërë çmos për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e njerëzve dhe për të trajtuar çdo pacient. Gjatë tre vjetëve, Kina përballoi në mënyrë efektive të paktën pesë valë të epidemisë globale, duke shmangur përhapjen masive të variantit origjinal dhe variantit “Delta” të virusit në Kinë, duke e ulur ndjeshëm numrin e rasteve me simptoma të rënda e të vdekjeve nga koronavirusi dhe duke fituar kohë të çmuar për përgatitjen e burimeve mjekësore si vaksinat dhe barnat. Gjatë këtyre tre vjetëve, epidemia dhe numri i vdekjeve prej saj në Kinë kanë qenë në nivelin më të ulët në botë, dhe jetëgjatësia mesatare në Kinë u rrit nga 77.3 në 78.2 vjet.

Foto: VCG

Foto: VCG

Wang vuri në dukje se, në luftën kundër pandemisë, Kina ka këmbëngulur gjithmonë në bashkërendimin efektiv të parandalimit e të kontrollit të epidemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe ka optimizuar masat përkatëse. Me dobësimin e ndjeshëm të patogjenitetit të variantit “Omicron” dhe përmirësimin e vazhdueshëm të aftësisë për trajtimin mjekësor, zbulimin e patogjenëve dhe vaksinimin, Kina vendosi ta menaxhojë COVID-19 me masat kundër sëmundjeve infektive të kategorisë B e jo të kategorisë A dhe fokusi i punës u zhvendos nga parandalimi e kontrolli i infeksionit në mbrojtjen e shëndetit dhe parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes.

Gjatë tre vjetëve u ndryshuan gradualisht masat për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë sipas situatës epidemike, por nuk ndryshoi aspak vendosja e popullit dhe e jetës në plan të parë, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze. (Li Huailiang/Artan)