Kinë, prodhimi i ibuprofenit dhe paracetamolit arrin në 202 milionë tableta në ditë
2022-12-29 21:28:17

Zv.ministri kinez i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Wang Jiangping tha të enjten se Kina po bën tashmë gjithçka për prodhimin e materialeve mjekësore. Kapaciteti ditor i prodhimit të dy barnave kyçe për uljen e temperaturës dhe qetësimin e dhimbjeve, ibuprofenit dhe paracetamolit, arrin në 202 milionë tableta në ditë, dhe tani prodhohen 190 milionë tableta në ditë. Kina do të forcojë shpërndarjen dhe furnizimin e barnave në rajonet kryesore. Deri të mërkurën, 174 milionë tableta ibuprofeni dhe 60 milionë tableta paracetamoli janë ndarë në zonat kyçe të provincave të ndryshme. Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës do të forcojë më tej bashkë me departamentet përkatëse shpërndarjen e furnizimeve mjekësore, do të garantojë ofertën e tregut dhe do të përmbushë kërkesat e njerëzve për barna.

Foto: VCG

Foto: VCG

Wang i tha këto të enjten në një konferencë shtypi për situatën e garantimit të materialeve kryesore mjekësore për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, që u organizua bashkërisht nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit, Ministria e Punëve Civile dhe Ministria e Transportit. 

Sipas tij, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit ka organizuar mbi 750 kompani kryesore nga provinca si Shandong, Hubei, Liaoning, Henan, Shanxi e Hebei, të cilat kanë zgjerua kapacitetet e prodhimit të materialeve mjekësore, duke përfshirë vaksinat, barnat, reagentët e zbulimit, pajisjet mbrojtëse etj. 

Sipas të dhënave të publikuara në konferencën e shtypit, është rritur shpejt kapaciteti i prodhimit të dy barnave kryesore për uljen e temperaturës dhe qetësimin e dhimbjeve, si ibuprofeni dhe paracetamoli. Në krahasim me fillimin e dhjetorit, prodhimi dhe oferta e tanishme ditore janë rritur me më shumë se katër herë. Gjithashtu është nxitur me forcë prodhimi i barnave për uljen e temperaturës për fëmijët, prodhimi ditor i të cilave arrin në 1.12 milionë shishe.

Wang Jiangping-u tha se aktualisht janë hartuar plane ditore për shpërndarjen e materialeve mjekësore. Kina do të garantojë kërkesat për barna të grupeve dhe rajoneve kyçe, duke përfshirë institucionet mjekësore, pacientët në shtëpi, shtëpitë e të moshuarve, zonat rurale etj. Kina do të promovojë platformat e garantimit të blerjes së ilaçeve për njerëzit e prekur dhe do të shfrytëzojë epërsitë e platformave të tregtisë elektronike. Po ashtu, do të organizohen krahinat për llogaritjen me saktësi të kërkesave për materiale dhe do të rritet shpërndarja e ilaçeve dhe e rezervave të urgjencës në zonat rurale dhe të largëta.

“Në fazën e ardhshme do të vijojmë të marrim masa të vendosura e do të mbështetim prodhimin e plotë të ndërmarrjeve kryesore të materialeve mjekësore, dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar prodhimin dhe furnizimin e materialeve mjekësore,” u shpreh ai. (Li Huailiang/Artan)