Kina vazhdon mbikëqyrjen e epidemisë pas lehtësimit të masave të menaxhimit
2022-12-28 19:32:27

Autoritetet kineze kanë publikuar një dokument mbi mbikëqyrjen e epidemisë së COVID-19 pas lehtësimit të masave të menaxhimit të saj.

Foto:VCG

Foto:VCG

Që nga 8 janari, Kina do ta ulë nivelin e menaxhimit të COVID-19 nga kategoria A në kategorinë B në përputhje me ligjin e vendit mbi parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive, tha në një deklaratë Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë të hënën.

Sipas këtij dokumenti, objektivi i mbikëqyrjes është të kuptohet në kohë dhe në mënyrë dinamike shpeshtësia dhe prirja e ndryshimit të infeksionit, duke gjykuar në mënyrë shkencore dhe duke parashikuar shkallën, intensitetin dhe kohën e epidemisë.

Programi mbikëqyrës synon gjithashtu të analizohet në mënyrë dinamike ndryshimi i llojeve të virusit dhe ndikimi i tyre në transmetimin, patogjenitetin, aftësinë e shmangies së imunitetit dhe ndjeshmërinë e reagentit të zbulimit për të siguruar mbështetje teknike për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në dokument u kërkohet institucioneve mjekësore të të gjitha niveleve të analizojnë në mënyrë dinamike prirjet e ndryshimit të rasteve të rënda, rasteve kritike dhe vdekjeve. Për rastet e rënda, rastet kritike, vdekjet dhe rastet e posaçme, institucionet mjekësore duhet të kryejnë hetime epidemiologjike në kohën e duhur dhe të publikojnë raportet epidemiologjike përkatëse.

Po sipas dokumentit, organet e pushtetit vendor duhet të kryejnë mbikëqyrjen epidemike bazuar në spitalet e monitorimit të Rrjetit Kombëtar të Mbikëqyrjes së Gripit, duke përfshirë mbledhjen dhe raportimin e numrave të përditshëm të pacientëve me simptoma të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes dhe njerëzve që kanë dalë pozitivë në testimin për COVID-19, duke raportuar në kohë renditjen e plotë të gjenomit të varianteve në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve të Kinës dhe duke analizuar prirjen e ndryshimit të numrit të infektimeve dhe të varianteve.

Organet e pushtetit vendor duhet të kryejnë mbikëqyrjen epidemike në vendet kryesore, duke përfshirë shtëpitë e të moshuarve, institucionet e mirëqënies sociale dhe shkollat fillore e të mesme, vihet në dukje në dokument.

Foto:VCG

Foto:VCG

Renditja e plotë e gjenomit duhet të kryhet për mostrat pozitive të testimit të acidit nukleik të mbledhura nga udhëtarët që vijnë nga jashtë, pacientët e spitaleve të monitorimit dhe grupet kryesore, si dhe të rasteve të rënda e të vdekjeve, për të kuptuar prirjen e ndryshimit të virusit dhe për të kapur shtamet të reja në kohë, sipas dokumentit.

Dokumenti u kërkon gjithashtu qyteteve të kryejnë mbikëqyrjen e ujërave të zeza lidhur me koronavirusin e ri.

Organet e pushtetit vendor duhet të organizojnë ekspertë për të marrë pjesë në monitorimin e posaçëm dhe paralajmërimin e hershëm, të forcojnë bashkëpunimin me universitetet e institutet studimore përkatëse, të shfrytëzojnë plotësisht teknologjitë e tilla si të dhënat e mëdha, inteligjenca artificiale dhe modelet matematikore, të forcojnë analizën automatike të të dhënave, studimet ndihmëse dhe aftësitë e gjykimit, si edhe të përmirësojnë saktësinë dhe ndjeshmërinë e mbikëqyrjes dhe paralajmërimit të hershëm, kërkohet në dokumentin në fjalë.(Artan)