FAST i Kinës zbulon polarizimin rrethor të dy shpërthimeve të shpejta aktive të radiovalëve
2022-12-27 19:21:22

Foto: VCG

Vëzhgimet e bëra duke përdorur Teleskopin Sferik me Diametër 500 metra të Kinës (FAST), teleskopi më i madh me një disk në botë, kanë zbuluar polarizimin rrethor të dy shpërthimeve aktive të shpejta të radiovalëve (FRB).

FRB është një shpërthim shumë i fortë që zgjat disa milisekonda i radiovalëve të lëshuara nga burime të paidentifikuara kozmike.

Shkencëtarët janë përpjekur të përcaktojnë origjinën dhe mekanizmin e kësaj dukurie të mistershme astrofizike që nga zbulimi i FRB-së së parë, Shpërthimi Lorimer, më 2007.

Deri tani janë zbuluar më shumë se 600 FRB, shumica e të cilave vetëm një herë, dhe më pak se 5 për qind janë përsëritur. Ndër to, më pak se 10 për qind janë relativisht aktivë.

Nëpërmjet analizimit të të dhënave të vëzhgimit të FAST-it, një ekip i Observatorëve Astronomikë Kombëtarë të Akademisë Kineze të Shkencave, i kryesuar nga Li Di, tha se ka zbuluar polarizimin rrethor në më pak se 5 për qind të shpërthimeve të dy FRB-ve të përsëritura (FRB20121102A dhe FRB20190520B) dhe niveli më i madh i polarizimit rrethor ishte 64 për qind.

Burimet e zakonshme të dritës, duke përfshirë Diellin dhe rrezet inkandeshente, prodhojnë dritë jo të polarizuar, ndërsa polarizimi linear është zbuluar në pothuajse të gjitha FRB-të e përsëritura.

Polarizimi rrethor është relativisht i rrallë, dhe vetëm FRB20201124A ishte raportuar përpara këtyre dy FRB-ve të përsëritura.

Përshkrimi i përimtuar i karakteristikave të rrezatimit të polarizuar do të ndihmojë në kuptimin e mekanizmit të rrezatimit të FRB-ve, me shpresë zbulimin e origjinës së tyre.

Ekipi e raportoi studimin në revistën “Buletini shkencor” të hënën.(Artan)